VIDEO/ Forcat izraelite godasin dhunshëm në xhaminë Al-Aqsa
Besimtarët myslimanë janë përballur sërish me terror e dhunë të skajshme nga policia izraelite në xhaminë Al-Aqsa. Për veprimin e ushtrisë izraelite ka pasur një reagim të ashpër nga Turqia zyrtare. Presidenti Erdogan është shprehur se sulmi në xhaminë Al-Aqsa është një vijë e kuqe për ne.
Nga SYRI TV
E dyta ditë rresht me terrorin dhe dhunën e policisë izraelite. Mes plumbave të gomës, granatave tymuese dhe gazit lotsjellës, besimtarët janë dëbuar nga xhamia dhe 6 persona kanë mbetur të plagosur.
Forcat izraelite sërish kanë mësyrë në xhaminë Al-Aqsa, teksa kanë ngjallur terror duke ushtruar dhunë mbi besimtarët ku mes tyre kishte edhe gra e fëmijë të mitur.
Sipas raportimeve, policia e Izraelit nuk ka dhënë arsye mbi ndërhyrjen e tyre në vendin e shenjtë ndërsa mësohet se i kanë sulmuar besimtarët me plumba gome, granata tymuese dhe gaz lotsjellës.
Sipas Kryqit të Kuq palestinez, 6 persona kanë mbetur të plagosur teksa brenda disa minutave forcat e Beniamin Netanjahut kanë larguar të gjithë njerëzit nga xhamia dhe zona përreth.
Ndërkohë menjëherë pas ngjarjes ka reaguar presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan i cili e ka dënuar këtë sulm dhe ka bërë thirrje për ndalimin e agresionit izraelit.
Erdogan” “I dënoj këto akte të poshtra kundër kibles së parë të myslimanëve në emër të vendit dhe popullit tim dhe bëj thirrje që sulmet të ndërpriten sa më parë. Emri i kësaj është politik e represionit, politika e gjakut, politika e provokimit. Turqia nuk mund të qëndrojë kurrë e heshtur dhe e palëvizshme përballë këtyre sulmeve. Sulmi në xhaminë Al-Aksa dhe shkelja e shenjtërisë së saj është një vijë e kuqe për ne.”
Sulmet në Al-Aqsa janë bërë në mënyrë sistematike prej vitesh nga Izraeli dhe ngjarje të tilla përsëriten shpesh gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.