SYRI TV/ Nis puna për kanalin e Trushit në Shkodër, Spahia: Do të rehabilitojmë dhe rrugën e fshatit

Nis puna për pastrimin e kanalit në fshatin Trush, i cili do të minimizojë përmbytjet gjatë stinës me reshje. Kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia pa nga afër punimet, ndërsa deklaroi se pas kanalit do të bëhet dhe rehabilitimi i rrugës së fshatit Trush.

Nga SYRI TV

Bashkia e Shkodrës ka nisur punën për pastrimin e kanalit kullues të fshatit Trush i cili veçanërisht në stinën e dimrit kthehet në një shqetësim për banorët duke shkaktuar përmbytje të rrugës.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët, kryetari i bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia kërkoi bashkëpunimin e komunitetit për të mirëmbajtur këto vepra. Pas kësaj ndërhyrjeje do të punohet për sistemimin e rrugës e cila bën lidhjen e fshatit Trush me superstradën.

“Investimi i radhës që do të ketë fshati Trush do të jetë ai i ujësjellësit, një sfidë që do ta përmbushim përtej vështirësive”, tha kryebashkiaku Spahia.

Fshati Trush në njësinë administrative Bërdicë do të jetë pjesë e një sërë investimesh që do të realizohen në njësitë administrative të bashkisë Shkodër, nevoja këto të dala nga diskutimet publike me banorët.

Gazetar: F. Maka

Operator:G. Lika

Redaktor:J. Hoxhaj

Montazhier: T. Foto