'Komision hetimor për Portin e Durrësit' - Opozita dorëzon kërkesën në Kuvend për aferën më kriminale
Dy deputetët të Partisë Demokratike kanë dorëzuar në Kuvend sot, kërkesën e 35 deputetëve të opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar aferën e Portit të Durrësit.
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi së bashku me deputeten Albana Vokshi, deklaruan se “ne do t’i shkojmë deri në fund. Askush nuk do të na bllokojë në hetimin e kësaj afere grabitqare. Do ta ndjekim në çdo rrugë”, garantuan ata.
"Sapo depozituam në emër të 35 deputetëve të opozitës, kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit për të hetuar aferën më skandaloze korruptive dhe grabitqare, atë të Portit të Durrësit dhe dhënies për interesa private të klientëve të Ramës, - tha Bylykbashi për mediat, - kërkesë që bëhet me kërkesë të 35 deputetëve të opozitës, që me firmat e tyre detyrojnë sipas Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendin për ta ngritur pa diskutim këtë komision hetimor.
Kanë firmosur edhe deputetë që e kanë lënë sot mandatin, por ata janë përtej numrit 35, si zoti Këlliçi dhe zoti Boçi. Por kërkesa ka 35 firmat e nevojshme për të bërë të detyrueshme ngritjen e këtij komisioni.
Grabitja e Portit të Durrësit është afera më kriminale dhe korruptive. Grabitet aseti më i madh strategjik i Republikës së Shqipërisë. Jo vetëm në aspektin ekonomik, jo vetëm si një pronë gjigante publike, që i merret jo vetëm qytetarit të Durrësit, por gjithë Shqipërisë, por ka shkelur në mënyrë brutale Kushtetutën, detyrimet e Shqipërisë në kuadër të MSA dhe çdo aspekt tjetër që garanton që prona publike administrohet në interes të publikut, me transparencë, me drejtësi, me konkurencë të hapur dhe garanton nga ana tjetër, zhvillim strategjik.
Kjo aferë po zhduk praktikisht portin më shumë se 2700 vjeçar të Durrësit, është një port që është që është nyja strategjike e të gjitha komunikimeve tregtare, ekonomike, të transportit por gjithashtu një nyje e rëndësishme strategjike ushtarake që Shqipëria si vend anëtar i NATO vë në dispozicion të Aleancës.
Me këtë aferë, Porti i Durrësit vdes menjëherë. Ajo që parashikohet aty, një projekt që në të ardhmen, në 20 vite, do të zhvillohet një resort rezidencial do të zhdukë këtë port dhe nuk ka asnjë garanci që porti tjetër do të zhvillohet në të ardhmen. Do të lërë Shqipërinë në këtë mënyrë pa një nga asetet më të mëdha.
Grabiten miliarda euro që vlen ajo pronë publike. Janë 150 milionë euro që i grabiten dhe i hiqen qytetarëve të Durrësit në taksat e zhvillimit, të cilat qeveria ia fal investitorit privat që është klient i saj.
Është cenuar autonomia vendore me të cilën vetëqeverisen, qytetarët e Durrësit. Me këtë , qeveria bën duke i ulur kokën, atij pushteti vendor që bëhet gati ta grabisë sërish në zgjedhjet e 14 Majit në Durrës."