Prifti francez kërcënohet me vdekje pas shfaqjes ‘seksi’ të kërcimit në shtyllë

Fali o Atë, sepse ata kanë hipur në shtyllë…

Një prift francez është kërcënuar me vdekje pasi në kishën e tij u dha një shfaqje me kërcim mbi shtyllë. Daniel Boessenbacher, prifti në kishën protestante Saint-Guillaume në Strasburg të Francës i tha AFP se se kishte njoftuar policinë për kërcënimet pasi kishte marrë dy letra anonime.

“Nuk ka dyshim, bëhet fjalë për një shfaqje që përfshin Stabat Mater dhe kërcim në shtyllë,” tha ai.

Një shoqatë e muzikës barok dhe e arteve interpretuese, Passions Croisées (Pasionet e ndërthurura), e mori me qira kishën javën e kaluar për dy shfaqje të sekuencës lirike Stabat Mater të Giovanni Battista Pergolesi, të cilën ata e kombinuan me vallëzim dhe akte kërcimi në shtyllë.

Gazeta Dernières Nouvelles d'Alsace tha se kërcimi nga gjimnasti dhe ish-kampioni francez i kërcimit në shtyllë Vincent Grobelny kishte qenë "mjeshtëror, atletik, i këndshëm, i paturpshëm dhe disa do të thoshin, seksi" dhe e kishte lënë audiencën edhe gojëhapur.

Prifti e përshkroi programin e mbrëmjes si "flirtues, por të butë", duke pranuar se "disa nuk u pëlqyen".

Në një nga letrat kërcënuese kërkohej që famullitarëve t’u “pritej koka”, duke shtuar se “kjo nuk është kishë, është kabare”.

Në letrën tjetër thuhej për priftin se "duhet t'i pritet koka, sepse ia ka dhënë çelësat e kishës sonë të shenjtë, një gjarpri që kërcen".

Boessenbacher tha se programet për shfaqjen me fraza si "Do të vdesësh" ose "Do të shkosh në ferr" të shkruara mbi to ishin futur nën derën e kishës.

"Jemi mësuar të marrim reagime, por jo kërcënime me vdekje”, tha 54-vjeçari.