INTERVISTA/ 'Becchetti', Kraja: Edhe 2 media në konflikt me qeverinë Rama

"Rikujtoj që edhe “Ora News” është lënë nën sekuestro nga shteti ashtu siç ishte “Agon Channel”; rikujtoj që grupi mediatik “Panorama” është në prag të hapjes së një lëvizjeje ligjore ndërkombëtare."

"Këto 110 milionë euro që janë më shumë, janë në fakt qindra shkolla, qindra spitale, rritje pagash, pensionesh, përmirësim i shërbimit publik të cilat nuk bëhen sepse shkojnë për teka politike diktatoriale autoritare të Erion Veliajt dhe të Edi Ramës" 

Drejtori i kabinetit në PD, z.Akil Kraja, ekspert i ekonomisë, paralajmëroi sot se gjoba prej 110 milionë eurosh që Shqipëria duhet t’i paguajë pronarit të televizionit Agon Channel nuk është e vetmja, pasi qeveria Rama është në konflikt të hapur ligjor edhe me dy media të tjera të mëdha: “Ora News” që është vënë nën sekuestro dhe grupin mediatik “Panorama”. Ai gjykon se këto qindra milionë euro duhet të paguhen personalisht nga Edi Rama, pasi ky dëm ka ardhur si pasojë e vendimeve të tij korruptive.

Në një intervistë sot në Kafe Shqeto në SYRI TV, z. Akil Kraja tha se “jemi në një realitet kur ky pushtet i kriminalizuar me qindra miliona euro, një pushtet i cili nuk e mban dot veten përpos me dhunën ndaj shtypit të lirë, medias së lirë. Rikujtoj që edhe “Ora News” është lënë nën sekuestro nga shteti ashtu siç ishte “Agon Channel”; rikujtoj që Grupi mediatik “Panorama” është në prag të hapjes së një lëvizjeje ligjore ndërkombëtare jashtë vendit, kundër qeverisë shqiptare. Pra, janë tri media që janë drejtpërsëdrejti në konflikt të hapur me qeverinë, në konflikt ligjor dhe ku gjoba në fund kemi për të parë, ka për të qenë sërish në vlera  stratosferike, qindra miliona euro, të cilat duhet të paguhen nga Edi Rama! Të shesë ai, pse jo, kullën e tij, bunkerin e tij në Surrel, le ta paguajë ai nëse është falë vendimmarrjeve të tij ekstraligjore, korruptive.

Nga intervista

Kafe Shqeto: Z. Kraja, që nga rasti Becchetti, sigurisht nuk ka ndryshuar mënyra e të vepruarit e qeverisë Rama. Aktualisht, cila është klima në fushatë me mediat, me TV, me hapësirat mediatike? Çfarë ka ndodhur?

Akil Kraja: Para disa ditësh, Sekretari i Fedetarës Europiane të Gazetarëve, bëri një deklaratë publike në të cilën adresonte direkt rastin e z. Veliaj përsa i përket elementit të fushatës dhe më konkretisht, deklaratat e tij kërcënuese, le t’i quajmë trysnuese ndaj disa portaleve të cilët kishin ngritur problematikën e autobuzëve, autobuzë që janë në gjendje të mjerueshme, që me sa duket jemi afër e uroj të mos kushtojnë jetë njerëzish dhe që janë turpi i kësaj bashkie.

Fushata vazhdon të identifikojë elementë pa fund të skandaleve të Erion Veliajt, por që sigurisht presioni është aty. Erion Veliaj nuk njeh metodë tjetër dhe do të vazhdojë të trembë, të trysnojë, të çojë njerëzit për deklaratë për shpifje apo për një padi civile, penale e kështu e me radhë. Fatkeqësisht duhet ta pranojmë, nga mediat ne presim më shumë.

Qytetarët po, arrijnë përmes rrjeteve sociale, që mbeten një dritare  për të komunikuar lirshëm, por që mediat ende nuk arrijnë të bëjnë jehonën e duhur të nevojshme ndaj këtyre mega-skandaleve në detaj. Ka pjesëmarrje në intervista, ka pjesëmarrje në debate etj. por gazetarët që të bëjnë nëpërmjet emisioneve investigative, nëpërmjet kronikave hetuese, pyetjeve të vështira, ne nuk i shohim.

Kujtoj me keqardhje Edi Ramën teksa i çonte për “rehabilitim” – një term i tmerrshëm i cili është nazist në fakt, në “riedukim” gazetarët, ka bërë që sot përpos ndonjë rasti siç mund të jetë ndonjë gazetar i medias suaj, sot të mos ketë asnjë lloj shkëmbimi, pyetje –përgjigje reale, pra llogaridhënie nga Edi Rama apo Erion Veliaj.

Kujtoj gjithashtu rastin e “Ora News” kur badigardë të Erion Veliajt fizikisht i shtynin gazetarët asokohe që përpiqeshin të investigonin të ashtuquajturën pjesëmarrje të Erion Veliajt në disa përgjime të Antimafias italiane me lejet e kullave këtu në Tiranë.

Pra, mediat në këtë trysni pengohen dhe ekziston një vetcensurim, me keqardhje e them, një vetcensurim që lidhet edhe me faktorë që mund të kenë të bëjnë mbi pronësinë e mediave, mbi pronësinë e mediave e cila është e luhatshme dhe që në kohë elektorale, siç e thatë dhe ju në krye të emisionit tuaj, mund të shkojë deri ën qiradhënie, pa përmendur rastet më flagrante si sulmi me armë në TCH para disa ditësh, ku fatkeqësisht pati edhe një të vrarë.

Kafe Shqeto: E shihni të lidhur?

Akil Kraja: Unë besoj se jemi në një realitet kur ky pushtet i kriminalizuar me qindra miliona euro, një pushtet i cili nuk e mban dot veten përpos me dhunën ndaj shtypit të lirë, medias së lirë, rikujtoj që edhe “Ora News” është lënë nën sekuestro nga shteti ashtu siç ishte “Agon Channel”; rikujtoj që Grupi mediatik “Panorama” është në prag të hapjes së një lëvizjeje ligjore ndërkombëtare, përsëri jo në gjykatat shqiptare po jashtë vendit, përsëri kundër qeverisë shqiptare, pra janë tri media që janë drejtpërdrejti në konflikt të hapur me qeverinë, ligjor, dhe ku gjoba në fund kemi për të parë ka për të qenë sërish në vlera  stratosferike, qindra miliona euro, të cilat duhet të paguhen nga Edi Rama. Të shesë ai, pse jo, kullën e tij e tij, bunkerin e tij në Surrel, le ta paguajë ai nëse është falë vendimarrjeve të tij ekstraligjore, korruptive, të cilat janë bërë shkaktare për këto gjoba.

Media kjo është, media duhet t’u shërbejë qytetarëve, media duhet të jetë investiguese, duhet të bëjë pyetjet e vështira në mënyrë që të mos presim faturën, por ta paraprijmë atë dhe në këtë fushatë që sapo ka filluar thirrja ime e vetme është për të gjithë gazetarët, që të bëjnë detyrën e tyre të pakushtëzuar, të patrembur, se në fund është liria e vendit, shërbimi publik.

Këto 110 milionë euro janë më shumë siç thamë pak më parë, mund të flasim për miliarda, një e ca miliardë euro, janë në fakt qindra shkolla, qindra spitale, rritje pagash, pensionesh, përmirësim i shërbimit publik të cilat nuk bëhen sepse shkojnë për teka politike diktatoriale autoritare të Erion Veliajt dhe të Edi Ramës ndaj çdo qytetar, çdo gazetar ka detyrë që edhe në këtë fushatë në prag të 14 majit të jetë përcjellës i së vërtetës.

Skandali tjetër që ju e përmendët në kronikën tuaj, Erion Veliaj paguan me ç’duket tendera drejt disa firmave kompani private për të bërë këtë asfaltin elektoral në Tiranë, ndërkohë që shohim se janë punëtorët e bashkisë që i bëjnë këto punime. Pra dy herë paguajmë, edhe pagat e bashkisë, por edhe tenderin për ato kompani private fantazmë.

Kjo nuk mund të zgjasë më. Qytetarët e Tiranës, shqiptarët vidhen, bashkitë janë monopolistike. Ne duhet t’i japim fund këtij regjimi. Aty ku liria e shtypit goditet, aty në fakt janë liritë e qytetarëve që nuk ekzistojnë./ar.sh/SYRI.NET