Familja refuzon të shesë votat/ Meta: Përshëndes këtë qëndrim kurajoz

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas denoncimit të familjes Bregasi në Paskuqan, se Partia Socialiste po blen vota në mbështetje të kryetarit të bashkisë, Rakip Suli.

‘Përshëndes qëndrimin kurajoz të kësaj familje me dinjitet, që denoncon dhe refuzon paratë e Rilindjes për blerjen e votës. Shqiptarët e kanë marrë vendimin. Ndryshimi më 14 Maj është i pandalshëm’, shkruan Meta në Facebook.

Sipas denoncimit për SYRI TV, drejtuesi i njësisë së Paskuqanit, Eduard Budini shoqëruar edhe nga persona të tjerë të PS-së, i ka shkuar kërkuar në shtëpi familjes Bregasi dhe në këmbim të votës për Rakip Sulin, u kanë premtuar 10 mijë lekë të rinj.  

Denoncimi i familjes Bregasi: "Ka ardhur me kryeplakun e lagjes, ka ardhur na e ka kërkuar dhe i thamë jo, nuk ta japim kartën. Pse me të marrë kartat, do të marrë qeverinë ai dhe të na gënjejë me nga 100 mijë lekë e me 30 mijë lekë. Ne na ka ardhur Eduard Budini në shtëpi dhe na ka kërkuar kartat e identitetit për të votuar Rapik Sulin dhe ne nuk ia dhamë. Na jep kartat tha se do shifemi më mbrapa, çfarë do bëjë më mbrapa ai?".