Ironia e gazetarit: Engjëll Agaçi ka merita për çdo ‘punë’ të mirë të Ramës
Nga Klodian Tomorri
Në çdo punë të mirë që ka bërë qeveria, një meritë të pazëvendësueshme ka pasur zoti Engjëll Agaçi.
Tek inceneratoret që pastruan Shqipërinë nga plehrat, zoti Agaçi pati një rol kyç në përshpejtimin e procedurave dhe vajosjen e ingranazhit burokratik, kur lejoi për miratim në qeveri atë vendimin e koncesionit me negocim të drejtpërdrejtë. Madje duke rrezikuar edhe veten, pasi Agjencia e Prokurimeve i kishte thënë me shkresë që negocimi i drejtpërdrejtë është i paligjshëm.
Jo vetëm kaq, por roli i tij ishte i pazëvendësueshëm edhe në një drejtim tjetër, teksa me punë të palodhur ditë e natë mezi i mblodhi dhe i bëri gati ato 17 vendimet që u miratuan për një dite në qeveri.
Tek kjo çështja e Beketit po ashtu bëri një punë shumë të mirë kur shkoi e hëngri atë dreken dhe i tha Beketit që nuk është ide e mirë t'i bësh opozitë qeverisë. Ajo drekë demaskoi para shqiptarëve fytyrën e vërtetë të Beketit, edhe pse Gjykata e Arbitrazhit na vuri një gjobë të vogël 108 milionë euro plus interesa dhe kamata.
Por Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë ka bërë punë shumë të mira edhe me studiot avokatore që pajton Shqipëria në gjyqet e arbitrazheve. Por këto janë merita të vogla, qe nuk i përmend njeri.
Ja kështu. Kur ka vullnet dhe dëshirë për punë, çdo gjë arrihet.