Kongresmeni: Prokurorët më pyesin se si mund të ngrenë akuza ndaj Biden
Kongresmeni republikan, James Comer, tha se të paktën dy prokurorë qarqesh i kanë kërkuar atij informacione se si mund të ‘shkojnë’ pas presidentit Joe Biden, për të ngritur padi ndaj tij.
Kjo gjë vjen në kohën kur një prokuror qarku në shtetin e majtë të Nju Jorkut ngriti padi ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Ekspertët druhen se kjo gjë do hapë ‘kutinë e Pandorës’, pasi çdo prokuror në vend mund të ngrejë padi ndaj një presidenti apo ish-presidenti me lehtësi.
“Do ju them një gjë, një nga ato gjërat që mendoj se do jetë shumë problem. Dje pata dy telefonata, një nga një prokuror qarku në Kentaki dhe një tjetër nga një prokuror qarku nga Tenesi. Ata ishin republikanë, pa dyshim. Ata duan të dinë nëse ka mënyra se si mund të shkojnë pas Biden tani,” tha Comer.
Duke folur për rrjetin Fox News, ai tha se demokratët ‘kanë hapur një kuti me krimba’.
“Ata kanë vendosur një precedent tani dhe nuk ka kthim mbrapa. Tani do të shohim një sistem drejtësie që nuk do të shkojë pas kriminelëve të vërtetë, por do kemi njerëz me ambicie politike si Alvin Bragg, që përpiqen të bëjnë emër dhe të shkojnë pas çështjeve të mëdha federale. Kjo nuk është një rrugë e mirë për të ecur përpara me drejtësinë tonë”.
Comer drejton një komision të fuqishëm parlamentar, i cili po heton për aferat e familjes Biden. Ai ka zbuluar të tjera të dhëna për lidhjet e dyshimta të djalit të presidentit, Hunter Biden, me një kompani kineze.
Bëhet fjalë për kompaninë CEFC, e cila ka lidhje të dyshimta edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe këshilltarin e tij, Dorian Duçka. E njëjta kompani ka sponsorizuar një ekspozitë të Ramës në Hong Kong.