Berlusconi është me leukemi/ Vëllai: Do ia dalë sërish, ai është si shkëmb
Silvio Berlusconi është diagnostikuar me leukemi.
Kështu raporton agjencia e lajmeve Reuters, duke iu referuar burimeve të afërta me çështjen.
Ish-kryeministri italian është shtruar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
86-vjeçari ndodhet në terapi intensive që nga e mërkura. Ai u shtrua në spitalin San Raffaele në Milano pas problemeve me frymëmarrjen.
Vëllai i tij më i vogël, Paolo, u tha mediave se Silvio do ia dalë edhe kësaj herë.
“Ai është si një shkëmb, do ia dalë edhe këtë herë,” tha ai.
Kjo është e disata herë që ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi ka rezultuar me probleme shëndetësore.
Në qershor të vitit 2016 ai kreu një operacion në zemër për shkak të bllokimit të një aorte, në prill të vitit 2019 ai u shtrua sërish në spital për shkak të dhimbjeve të rënda të barkut që e bëri atë të humbasë prezantimin e kandidatëve të 'Forza Italia', në vitin 2020 ai rezultoi me Covid-19, që iu kthye në pneumoni, dhe në janar të vitit 2022 ai kaloi një infeksion të rëndë urinar.