Kosovë, 10 raste të zjarrvënies së makinave në Veri këtë vit

Policia e Kosovës ka njoftuar se 10 raste të djegies së makinave janë raportuar në veri edhe gjatë vitit 2022. Policia ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për identifikimin e autorëve.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për identifikimin e kryesve të këtyre veprave penale. Janë intervistuar  ankuesit/viktimat dhe një person është arrestuar me dyshimet e arsyeshme se ka kryer këto vepra penale në komunën e Zubin Potokut”, tha Policia për Gazetën Express.

Për zjarrvënien e veturave në Zubin Potok, të shtunën Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin, Milovan Bozovic. Përpos djegies së veturave, ai është i dyshuar edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku u plagosën dy zyrtarë të saj.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar që të mbrojë jetën dhe pronën e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe me të gjitha kapacitetet është duke punuar në identifikimin e personave, strukturave kriminale që janë përfshirë në këto raste  dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.”

Djegia e veturave u dënua nga ambasadorët

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka quajtur shqetësues faktin që Lista Serbe nuk i ka dënuar djegiet e veturave të qytetarëve serbë në veri, të cilët i kanë regjistruar ato me targa RKS.

“Pse? Shumë shqetësues fakti që Lista Serbe sërish nuk i ka dënuar zjarrvëniet në automjetet e qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar për ta dënuar këtë praktikë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Ndërsa, ambasadori Hovenier, ka thënë se SHBA-të e kanë dënuar vazhdimisht djegien e vetyrave në Veri.

“SHBA-të vazhdimisht e kanë dënuar djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto vepra kriminale”, ka shkruar Hovenier.