Kina dërgon anije luftarake përreth Tajvanit pas takimeve të presidentes në SHBA
Kina dërgoi anije luftarake në ujërat përreth Tajvanit të enjten, pas një takimi midis presidentes së Tajvanit Tsai Ing-wen dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Kevin McCarthy.
Kina premtoi një përgjigje "të vendosur" ndaj bisedimeve të nivelit të lartë në Kaliforni, pasi udhëheqësi i ishullit vetëqeverisës përshëndeti "mbështetjen e palëkundur" të Uashingtonit.
Kina e konsideron Tajvanin një provincë të shkëputur dhe është zotuar ta ribashkojë ishullin me kontinentin. Ajo nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake për të arritur këtë qëllim, megjithëse pretendon se preferon "ribashkimin paqësor".
SHBA është zotuar më parë të mbrojë Tajvanin në rast të një pushtimi kinez.
Pas bisedimeve, McCarthy tha se "shitjet e vazhdueshme të armëve" në Tajvan ishin "mënyra më e mirë" për ta mbrojtur atë nga Kina.
"Është një mësim thelbësor që mësuam nga Ukraina," u tha ai gazetarëve. Sanksionet e thjeshta në të ardhmen nuk do të ndalojnë askënd”.
Pekini dërgoi tri anije luftarake të tjera në ngushticën që e ndan nga Tajvani të enjten, pak pasi vendosi një aeroplanmbajtëse. Ai kishte kërcënuar vazhdimisht një përgjigje të tillë nëse takimi do të zhvillohej.
Helikopterë anti-nëndetëse u zbuluan gjithashtu duke kaluar nëpër zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit, ndërsa Kina ka vendosur anije të rojes bregdetare për patrullime të jashtëzakonshme, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit.