Polonia i premton Ukrainës më shumë avionë luftarakë MiG-29

Polonia premtoi avionë të tjerë luftarakë Mig-29 në Kiev gjatë vizitës së parë zyrtare të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Homologu i tij polak, Andrzej Duda, tha se Varshava kishte planifikuar t'i dërgonte Ukrainës më shumë avionë të epokës sovjetike.

"Ne jemi gati të dorëzojmë gjashtë Mig-29 të tjerë të cilët janë duke u mirëmbajtur. Ne vlerësojmë se ato mund të dorëzohen relativisht shpejt," tha ai.

Përveç bisedimeve me Duda-n, Zelensky vizitoi gjithashtu Varrin e Ushtarit të Panjohur, u takua me refugjatët ukrainas dhe mori pjesë në një forum ekonomik për rindërtimin e ardhshëm të vendit të tij.

Vizita e tij shihet si një gjest falënderimi për Poloninë, jo vetëm për ndihmën e saj për mbi 1.5 milionë ukrainas që kanë ikur përtej kufirit për t'i shpëtuar luftës, por edhe për mbështetjen e saj të vazhdueshme.

Varshava ka luajtur një rol kyç në nxitjen e mbështetjes ushtarake dhe politike perëndimore për Kievin në mbrojtjen e tij kundër Rusisë. Ajo ishte gjithashtu ndër vendet e para që i ofroi Ukrainës tanke perëndimore dhe artileri dhe armatime të tjera.

Presidenti ukrainas ka bërë vetëm disa udhëtime jashtë vendit që nga pushtimi i Rusisë mbi një vit më parë, të gjitha tek aleatët më të fuqishëm të vendit të tij.

Ndryshe nga vizitat e mëparshme në SHBA, Britani, Francë dhe Belgjikë, ky udhëtim ishte paralajmëruar paraprakisht dhe ai shoqërohej nga bashkëshortja.

Por vizita e tij vjen gjithashtu në një kohë delikate, me fermerët polakë që po bëhen gjithnjë e më të zemëruar nga teprica e grurit ukrainas në Poloni, e cila ka shkaktuar rënien e çmimeve.

Gruri është menduar vetëm për t'u ruajtur dhe tranzituar përmes vendit në rrugën e tij drejt tregjeve ndërkombëtare, por fermerët thonë se ai po qëndron në Poloni.