Si ndodhi sherri në ish-Bllok/ Ngjarja u raportua pas vdekjes së 46-vjeçarit

Gentian Talja 46-vjeç, humbi jetën në spital pas një sherri të ndodhur 5 ditë më parë në rrugën ‘Vaso Pasha” në Tiranë, në zonën e njohur si ish-Blloku.

Ngjarja nuk u bë publike nga Policia e Tiranës, por 5 ditë më vonë policia reagoi, duke njoftuar se 46-vjeçari ndërroi jetë pas plagëve të marra.

Policia ka referuar në prokurori materialet për Artur Gjolenën, 41 vjeç dhe ka shpallur në kërkim Henri Gjapin, 25 vjeç, të dy banues në Tiranë. Policia thotë se më 31 mars, në rrugën ‘Vaso Pasha’, Henri Gjapi është konfliktuar me Gentian Taljan, i cili për shkak të dëmtimeve është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Si pasojë e dëmtimeve, Gentian Talja, ka ndërruar jetë në spital, ditën e djeshme.

Burime bëjnë me dije se Talja dhe Gjapi kanë qenë të dy në gjendje të dehur rreth orës 02.00 pas mesnate të datës 31 mars dhe janë takuar krejt rastësisht në vendin ku ka ndodhur ngjarja. Nga kamerat e sigurisë vërtetohet se Talja dhe Gjapi janë konfliktuar me duar.

Disa çaste më vonë, 46-vjeçari është ndjerë keq si në një gjendje të fikëti. Kamerat e sigurisë tregojnë momentin që i riu bie në tokë dhe godet me kokë bordurën e trotuarit. Menjëherë pas ngjarjes janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore të dy, duket qenë se njëri ka qenë i dehur dhe tjetri me plagë në kokë.

Në orët në vijim Gentian Talja ka qenë i vetëdijshëm dhe ka komunikuar, jashtë rrezikut për jetën. Por, gjendja e tij është rënduar dhe ka pasur komplikacione dhe rreth orës 19:00 të pasdites teksa ka kaluar në gjendje kome. 46-vjeçari ka ndërruar jetë mbrëmjen e së martës.