VIDEO/ Meta: 110 mln euro do të paguajmë për dhunën e Ramës e Veliajt mbi mediat

Kryetari i PL, Ilir Meta, i cilësoi "skizofrenike" vjedhjet e kësaj qeverie dhe pasojat e saj, mbylljen e gojës që kërkon t’u bëjë medieve, qytetarëve dhe vetë opozitës.

Meta solli në vëmendje skandalin e fundit, detyrimin e Shqipërisë për të paguar tashmë 110 milionë euro gjobë për shkak të mbylljes që i bëri kryeministri Edi Rama, televizionit Agon Channel.

“Sot doli lajmi, përfundimisht do të ekzekutohet gjoba ndaj Beketit, do të paguajnë shqiptarët 110 milionë euro!!!" tha Meta nga takimi në Koplik.

"Pse?! Për dhunën dhe shkeljet e ligjit që bën Edi Rama dhe Erion Veliaj ndaj medieve për t’u mbyllur gojën! Do të vijnë gjoba të tjera edhe më të rënda!

Medieve duan t’u mbyllin gojën, gazetarëve po, qytetarëve po, opozitës po. Po pse? Që të vjedhin në mënyrë skizofrenike siç po ndodh dhe jemi dëshmitarë të gjithë këtij realiteti të hidhur. Ndaj në 14 maj rikthehet llogaridhënia kudo!”

Meta deklaroi po ashtu se qeveria shqiptare e ka shkatërruar qarkun e Shkodrës.

Këtë deklaratë Meta e bëri teksa prezantoi kandidatin e opozitës për Malësinë e Madhe, Isa Ramaj. Ai u shpreh se është i sigurt që më 14 maj, Shkodra dhe Malësia e Madhe do të jenë në krye të fitores së madhe të opozitës.