EMRAT/ Sherri në ish-Bllok, vdes 46-vjeçari, shpallet në kërkim autori
Një sherr i ndodhur 4 ditë më parë në kryeqytet, i kushtoi jetën një 46-vjeçari. Policia megjithatë dha vetëm sot informacione.
Viktima është Gentian Talja dhe sipas policisë ndërroi jetë një ditë më parë në spital. Në një njoftim për mediat këtë të mërkurë, policia thotë se viktima dhe dy persona të tjerë, Henri Gjapi dhe Artur Gjolena u konfliktuan me njëri-tjetrin të premten, për shkaqe momentalisht të paqarta.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Vaso Pasha” në zonën e ish-Bllokut. Fillimisht ishte 25-vjeçari Henri Gjapi, i cili u përplas me 46-vjeçarin Talja, duke e lënë këtë të plagosur rëndë. Ndërsa Artur Gjolena ndërhyri duke goditur 25-vjeçarin Gjapi.
Ndonëse 46-vjeçari ndodhej në kujdes mjekësor, ai nuk arriti të mbijetonte dhe ndërroi jetë një ditë më parë. Policia ka shpallur tashmë në kërkim si autor të dyshuar
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë referuar materialet në prokurori, për shtetasin Artur Gjolena 41 vjeç, dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin Henri Gjapi, 25 vjeç, të dy banues në Tiranë. Kjo pasi “më datë 31.03.2023, në rrugën “Vaso Pasha”, shtetasi Henri Gjapi është konfliktuar me shtetasin Gentian Talja, 46 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore. Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë edhe shtetasi Artur Gjolena, i cili ka goditur shtetasin Henri Gjapi. Si pasojë e dëmtimeve, 46-vjeçari ka ndërruar jetë në spital, ditën e djeshme. Vijon puna për kapjen e shtetasit Henri Gjapi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.