Krasniqi: Absurde të akuzohem për persekutim të anëtarëve të LDK, kur isha vet anëtar i saj!

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ekipi i tij mbrojtës kanë marrë fjalën sot në seancën gjyqësore që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Vetë Krasniqi ka thënë se ndihet i njollosur nga aktakuza e Gjykatës Speciale për krime lufte dhe e ka cilësuar absurde, akuzën për persekutim të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi ai vet ka qenë pjesë e kësaj partie, raportoi redaktori i Koha.net nga Haga, Driton Mehmeti.

Fjalimi i Krasniqit, sipas rregullave të gjykatës, transmetohet me 45 minuta vonesë për çështje sigurie.

“Është absurde të akuzohem për persekutimin e anëtarëve të LDK-së, kur unë isha vetë pjesë e kësaj partie”, ka thënë Krasniqi, duke përmendur vëllanë e mbesën si anëtarë të LDK-së edhe pas luftës.

Krasniqi ka deklaruar se ka qenë rol i tij si zëdhënës i UÇK-së që ta paraqesë si strukturë të mirorganizuar, por “kjo duhet parë si propagandë e asaj kohe”.

“Më ka lënduar aktakuza e ZPS-së, më shumë sesa burgjet e torturat nga Serbia”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka pasur tri lutje në fjalimin e tij për Prokurorinë. Ka bërë thirrje që të “mos lejohen të përdoren mendimet e pasluftës për kohën e luftës”, që “shënimet e librit të mos keqpërdoren si dëshmi” e që “komunikatat e UÇK-së janë dëshmuar se kanë qenë si propagandë në rastin e gjykimit të Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt”.