Porti i Durrësit/ Varhelyi i shkruan opozitës: MSA ka rëndësi maksimale
Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, iu përgjigj letrës së deputetëve të opozitës në lidhje me aferën e Portit të Durrësit.
Letra e deputetëve të PD i drejtohej zëvendëspresidentes së BE, Margrethe Vestager. Por në vend të saj, opozitës i është përgjigjur Varhelyi.
Opozita ngre shqetësimin kryesor se afera e Portit të Durrësit shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Në letrën e tij, Varhelyi thekson se “Komisioni Europian i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme përputhjes me MSA-në”.
“Në këtë kontekst, në komunikimet me autoritetet shqiptare, Komisioni ka nënvizuar nevojën për të siguruar që projektet e kësaj marrëveshje të nënshkruar në vitin 2020 mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë edhe rizhvillimin e Portit të Durrësit, të jenë në përputhje me parashikimet e MSA, në veçanti në fushat e prokurimeve publike dhe ndihmës shtetërore”.
Varhelyi thotë se një qëndrim i tillë i është bërë i qartë palës shqiptare edhe gjatë Këshillit Shqipëri-BE të mbajtur më 16 mars.
“Projektet duhet të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mos-diskriminimit,” thuhet në letër.
Po ashtu, Varhelyi konfirmon se BE e ka anuluar fondin që ishte vendosur për Portin e Durrësit pasi qeveria shpalli se porti tregtar do jetë në Porto Romano.
Në letër thuhet se po shihet mundësia se si do përdoren këto fonde pas anulimit.