Hagë, flet Jakup Krasniqi: Asnjëherë s’kam kryer krim, jam krenar me veprimtarinë time
Sot po mbahet seanca gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ku fjala e ka mbrojtja e Jakup Krasniqit.
Jakup Krasniqi ka kërkuar nga trupi gjykues që të mos merren për bazë si prova kundër tij librat e tij, komunikatat që kishin qëllim të propagandonin për të motivuar njerëzit t’i bashkoheshin UÇK, dhe të mos keqpërdoreshin nga ZKP materialet, përfshirë letrat e tij nga burgu, njofton RTK.
Ai ka përshkruar torturat që ka përjetuar nga regjimi serb dhe pastaj ka shtuar se përmbajtja e aktakuzës së ZKS-së e kanë lënduar më shumë sesa torturat serbe, raporton RTKlive.
Gjatë fjalimit të tij ai ka përmendur angazhimin e tij në LDK dhe e ka quajtur absurde akuzën që ai mund të ketë qenë kundër LDK-së. Krasniqi ka ripërsëritur pafajësinë e tij duke thënë se asnjëherë s’ka kryer asnjë krim dhe është krenarë me gjithë veprimtarinë e tij
Avokatja: Jakup Krasniqi la ëndrrat e tij për të luftuar për Kosovën
“Regjimi që ai po luftonte ishte regjim që shkaktoi kaos dhe lot, ky regjim shkaktoi edhe gjenocidin në Sebrenicë”, tha ajo para trupit gjykues, raporton RTKlive.
Sipas saj, roli i Jakup Krasniqit si zëdhënës i UÇK-së, është i njohur publikisht për 25 vjet dhe se deklaratat e tij në mbështetje të UÇK-së u bën publike. Ajo tha se Jakup Krasniqi nuk ka përdorur asnjë pseudonim, por të gjitha ai i ka bërë publike.
Alagendra theksoi e Prokuroria ka dështuar në çështjen e Jakup Krasniqit dhe se ka bërë gabime në këtë proces. Ajo ka folur për kronologjinë e veprimtarisë së Jakup Krasniqit dhe rolin e tij në UÇK.
“Zëdhënësit nuk përfshihen në çështjet operacionale ushtarake, roli i tyre është kontakti me marrëdhëniet me publikun dhe ky ishte roli i Jakup Krasniqit”, tha ajo.
Mbrojtësja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka filluar prezantimin, duke thënë se Jakup Krasniqi u detyrua 25 vite me parë që të luftoi kundër regjimit serb dhe këtë e bëri për të ardhmen e Kosovës.