Vrasja e blogerit rus/ Zbulohet se çfarë tha 26 vjeçarja kur u pyet për 'bustin bombë'
26 vjeçarja e akuzuar për një "akt terrorist" që çoi në vdekjen e blogerit ushtarak rus Vladlen Tatarsky , thuhet se gjatë marrjes në pyetje të saj ka pohuar se nuk dinte asgjë për eksplozivët që përmbante busti që i dorëzoi mbështetësit të Putinit dhe se mendonte se ishte një provë për punën e re që ajo do fillonte!
Sipas raportit të faqes ruse Fontanka , transkriptet e zbuluara të marrjes në pyetje të 26-vjeçares Daria Trepova nga persona të Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) përfshijnë versionin e saj të asaj që ndodhi të dielën e kaluar në kafenenë e Shën Petersburgut .
Në një video të publikuar nga autoritetet ruse, Trepova shihet duke pranuar se ishte ajo që i dorëzoi Tatarskit 'bustin bombë” që e vrau atë dhe plagosi dhjetëra persona të tjerë në ngjarjen për luftën në Ukrainë.
Në klipin e shkurtër, megjithatë, Trepova nuk thotë nëse ka ditur për eksplozivët brenda statujës apo kush ia ka dhënë.
Siç raporton Fontanka, Trepova ka pohuar gjatë marrjes në pyetje nga njerëzit e FSB- së se prania e saj në ngjarje dhe transferimi i statujës ishte një lloj testi që ajo duhej ta kalonte me qëllimin përfundimtar të një pozicioni si gazetare në një media ukrainase.
Ajo thuhet se pohoi se nuk dinte për pajisjen shpërthyese dhe mendonte se po vepronte thjesht si një "gazetare praktike", e cila duhej t'u provonte punëdhënësve të saj të ardhshëm se nuk ishte dakord me propagandën në vendin e saj.
Aktivistja 26-vjeçare kundër luftës, e cila po përballet me 20 vjet burg për rolin e saj në shpërthimin vdekjeprurës, u tha hetuesve se pasi iu ofrua pozicioni i diskutueshëm në platformën mediatike ukrainase, asaj iu kërkua të kryente një sërë misionesh, si një lloj “praktike” për të provuar aftësitë e saj.
Së pari, asaj iu desh të merrte pjesë në një nga fjalimet e Vladlen Tatarsky dhe të kontaktonte kolegun e saj bloger, i cili mbështeti fuqimisht pushtimin rus të Ukrainës.
Raporti thotë se asaj iu dorëzua më pas një "gjë misterioz" nga një shofer taksie në Moskë, i cili gjithashtu thuhet se nuk e dinte se ku ishte përfshirë.
Busti me eksploziv dyshohet se është “porositur” përmes mesazheve në aplikacionin Telegram dhe “bomba” i është dorëzuar në mënyrë anonime një “ndërmjetësi”.
"Misioni i radhës" për Trepova ishte të takohej sërish me Tatarsky dhe t'i jepte pakon.
Pasojat janë të njohura, pasi në disa video është fiksuar skena në të cilën e reja jep "dhuratën" dhe bashkëvepron me Tatarsky në kafenenë në Shën Petersburg pak para shpërthimit.
Në shtypin rus raportohet se në emër të gruas ishte blerë një biletë avioni për të udhëtuar nga Shën Petersburg në Uzbekistan dhe më pas në mënyrë të sigurtë në Ukrainë.
Kujtohet se një gjykatë ruse dje vendosi të paraburgoste Trepova deri më 2 qershor, siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti, duke cituar reporterin e saj në sallën e gjyqit.