Klopp i gëzohet pikës me Chelsean: Hodhëm një hap të vogël përpara

Vuajtjet janë kthyer normale për Liverpoolin gjatë këtij edicioni në Premier League.

Skuadra e Jurgen Klopp barazoi 0-0 në “Stamford Bridge” përballë Chelsea, sfidë ku VAR-i u hoqi dy gola vendasve.

“U përballën dy skuadra me mungesë besimi, por që luftuan fort në fushën e blertë. Pika për ne është e mirë, mund ta cilësoj pozitive, sepse pashë disa gjëra të mira. Vuajtëm në fillim, por më pas u përmirësuam”, deklaroi Klopp.

Liverpool renditet në vendin e tetë me 43 pikë, 7 larg zonës Champions League. Diferencë që mund të rritet nëse United dhe Newcastle fitojnë takimet e tyre.

Trajneri gjerman i “The Reds” vijon edhe më tej: “Nuk ishte një ndeshje spektakolare, por ne hodhëm një hap të vogël përpara. Këtë kërkoj nga skuadra: të hedhim hapa të vegjël përpara. Nuk prisja që një ekip me gjashtë ndryshime të luante ndeshjen më të mirë të sezonit. Ne nuk dorëzohemi, do të luftojmë deri në fund”, u shpreh tekniku i Liverpoolit.