Talibanët ndalojnë veprimtarinë e punonjëseve afgane në OKB

Kombet e Bashkuara kanë thënë se një urdhër nga talebanët i ka ndaluar gratë afgane të punojnë për këtë organizatë.  OKB-ja tha se nuk ka pasur asnjë komunikim me shkrim dhe se talebanët i kanë informuar ata verbalisht.

Organizata i ka thënë personelit të saj afgan, burra dhe gra, që të mos paraqiten në punë për 48 orë, derisa të ketë qartësi për këtë çështje në takimet me talebanët.

Ka pasur një shtrëngim në rritje të lirive të grave që kur talebanët morën pushtetin në vitin 2021.

OKB e ka quajtur masën "të papranueshme dhe sinqerisht të paimagjinueshme".

"Kjo është e fundit e një prirjeje shqetësuese që minon aftësinë e organizatave të ndihmës për të shkuar tek ata që kanë më shumë nevojë", tha një zëdhënës i OKB-së, duke shtuar se "nuk mund të funksionojë dhe të ofrojë ndihmë shpëtimi pa personelin femër".

Punonjëset femra luajnë një rol jetik në operacionet e ndihmës në terren, veçanërisht në identifikimin e grave të tjera në nevojë. OKB-ja ka punuar për të dërguar ndihma humanitare për 23 milionë njerëz në Afganistan, i cili po vuan nga një krizë e rëndë ekonomike dhe humanitare.

Punonjëset e huaja janë të përjashtuara nga ndalimi. Por nëse zbatohet, ky do të ishte testi më domethënës për të ardhmen e operacioneve të OKB-së në Afganistan dhe për marrëdhëniet midis organizatës dhe qeverisë talebane.

OKB-ja ka thënë se në provincën lindore Nangarhar, autoritetet lokale talebane i  penguan gratë afgane të shkonin për të punuar në objektet e OKB-së të martën.'

Në përgjigje, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres shkroi në Tëitter: "Unë dënoj fuqishëm ndalimin e kolegeve tona afgane për të punuar në provincën Nangarhar të Afganistanit. Nëse kjo masë nuk anulohet, ajo në mënyrë të pashmangshme do të dëmtojë aftësinë tonë për të ofruar ndihma jetëshpëtuese për njerëzit që duhet."

Kjo do të thotë se OKB-ja nuk është më e përjashtuar nga ndalimi i grave që punojnë për të gjitha organizatat - me përjashtim të atyre në sektorin e kujdesit shëndetësor - i zbatuar në dhjetor. Punonjëset femra në sektorin e shëndetësisë pritet të lejohen ende të punojnë, por vetëm nëse raportojnë drejtpërdrejt në institucionet shëndetësore dhe jo në zyra.

Që nga kthimi i talebanëve në pushtet, adoleshentëve dhe grave u është ndaluar hyrja në shkolla dhe kolegje. Grave u kërkohet të vishen në një mënyrë që të zbulojnë vetëm sytë e tyre dhe duhet të shoqërohen nga një i afërm mashkull nëse udhëtojnë më shumë se 72 km.

Dhe nëntorin e kaluar, grave iu ndalua të hyjnë në parqe, palestra dhe pishina, duke u hequr liritë më të thjeshta.