Si ndërroi jetë ‘polici i Treshit’, Oligert Dika u përplas nga një kamion në vizat e bardha
Vetëquhej Olsi, mbase ngaqë kishte edhe pak probleme me të folurën, ashtu siç mbartte edhe probleme shëndetësore të theksuara.
Por prej shumë vitesh ai kishte vendosur të ishte i dobishëm për komunitetin dhe qëndronte te zona e njohur si “Treshi”, në rrugën e Kamzës. Me një tabelë Policie Rrugore dhe me një jelek fosforeshent, ai mundohej të rregullonte trafikun që prej vitesh është kthyer në makthin e kujtdo që e frekuenton atë rrugë. Madje mbante edhe një bilbil, që i binte sa herë nuk u hapej rruga kalimtarëve nga shoferë që nuk pyesin për viza të bardha, rregulla qarkullimi dhe këmbësorë, të cilët përpiqen të kalojnë rrugën me shpejtësi për t`i shpëtuar vdekjes që kanoset çdo sekondë në atë aks, një prej dy arterieve kryesore të Shqipërisë.
Por edhe ditën e djeshme, si çdo ditë, Olsi kishte veshur jelekun e tij të punës dhe kishte dalë në vendqëndrimin e çdo ditshëm të rregullonte trafikun, të moslejonte të bëheshin sherre mes përdoruesve të rrugës, pa e ditur se mesdita e djeshme do të ishte ajo fatalja për të. E ku, mu në vizat e bardha, në një rreth rrotullim që është jashtë çdo standardi, që mbart numrin më të madh të automjeteve në të gjithë vendin. Aty, një mjet i tonazhit të rëndë, vjen me shpejtësi për të marrë krahun e hyrjes për në Tiranë dhe i merr jetën njeriut-simbol të asaj rruge. Përmbys mbi vijat e bardha, me jelekun e ngjyrave të Policisë Rrugore, Olsi, djali që e njihte i madh e i vogël, ra viktimë e pakujdesisë, abuzimit, mosrespektimit të rregullave dhe rrugëve të parrugë të vendit tonë!
Policia
Oligert Dika, ose “Ols Polici” siç njihej gjerësisht në rrjetet sociale, humbi jetën ndërsa ishte në rolin e efektivit të policisë rrugore. 32-vjeçari u përplas nga një kamion mbi vijat e bardha në vendin ku ai qëndronte zakonisht dhe ishte kthyer në një personazh të videove në rrjet. Ky është momenti ku betonieria ka përplasur 32-vjeçarin e ndërsa ai qëndron i shtrirë në rrugë në pritje të autoambulancës. Sipas informacioneve drejtuesi i kamionit po kalonte në “Rrugën e Kastriotëve” ku dyshohet se në afërsi të vizave të bardha është përplasur me të riun.
Përplasja ka qenë e fortë ku sipas burimeve ka humbur jetën menjëherë në vendngjarje pas përplasjes me mjetin e tonazhit të rëndë. Oligert Dika vuante nga një sëmundje e shëndetit mendor, ku pjesën më të madhe të kohës qëndronte në rrugë. Videot e tij janë të shpërndara gjerësisht në rrjete sociale ku shoferët shprehen mjaft dashamirës për të duke i dhuruar edhe para. Ndaj shoferit të tonazhit po kryhen ekzaminime nëse ka qenë në efektin e alkoolit, e po ashtu po verifikohen shkaqet e vërteta të aksidentit.