Berisha: Do bëjmë autostradën e Bregut të Drinit, hekurudhën me Kosovën dhe do vendosim dyshtetësinë
Kryetari demokrat, Sali Berisha, bëri disa premtime të rëndësishme ndërsa fliste në Tropojë, ku prezantoi kandidatin opozitar, Besnik Dushaj.
“Këto tetë vite kanë qenë vitet e diskriminimit ekstrem për veriun. Mendoni pak, çfarë është investuar në Tropojë? Bashkinë e ka futur 6 miliardë në deficit Rexh Byberi.
Diskriminimi merr fund, projektet e mëdha të nisura, do kompletohen.
Autostrada e Bregut të Drinit do jetë Autostrada e Alpeve, do jetë një nga projektet më kryesore. Projekti është gati. Ajo del rruga më panoramike jo vetëm e Shqipërisë, por e gjithë Ballkanit, një nga rrugët më panoramike të gjithë Europës. Do jetë përparësi e parë.
Lidhja e Shqipërisë me Kosovën me hekurudhën do jetë projekti i dytë i katërvjeçarit të parë të PD-së në pushtet.
Së fundmi, sapo të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, Shqipëria do firmosë marrëveshje me Kosovën për vendosjen e dyshtetësisë. Të gjithë shqiptarët do kenë të drejtë të mbajnë shtetësinë e Kosovës ose Shqipërisë, njërën ose tjetrën ose të dyja bashkë.
Ai kufi do mbetet si një relike e padrejtësisë që është bërë ndaj shqiptarëve. Do bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndjehen një komb, një qëndrim, një të ardhme.
Ja pse zgjedhjet e 14 majit, ja pse vota për Besnik Dushën është votë e misionit tonë, është zgjedhje e jetës sonë, me rëndësi të jashtëzakonshme për fatin e Tropojës dhe Shqipërisë,” tha Berisha.