Daria Trepova: Çfarë dimë për 26-vjeçaren e arrestuar për vrasjen e blogerit rus
Arrestimi i një 26-vjeçare të quajtur Daria Trepova për vrasjen e blogerit rus Vladlen Tatarsky në një kafene në Shën Petersburg të dielën e kaluar ka ngritur pikëpyetje.
E kaluara dhe bindjet politike të gruas që dyshohet se i dorëzoi Tatarskit bustin me eksploziv që e vranë atë dhe plagosën më shumë se 30 njerëz janë vënë nën shqyrtim.
Në një video të publikuar dje nga autoritetet ruse, Trepova duket se pranon se ishte ajo që ia dorëzoi statujën blogerit rus, i cili ishte një mbështetës i vendosur i pushtimit të Ukrainës nga vendi i tij.
Në veçanti, 26-vjeçarja shprehet se e di arsyen për të cilën u arrestua, ajo thotë – ndoshta nën presion – se e ka transportuar statujën, por nuk sqaron nëse ka ditur apo jo për ekzistencën e eksplozivit brenda saj.
Zyrtarët rusë lëshuan dje deklarata për gruan bionde misterioze, duke thënë se ajo është një mbështetëse e "Fondacionit Anti-Korrupsion" të Alexei Navalny dhe duke folur për një "grusht shteti terrorist" të planifikuar nga Ukraina.
Megjithatë, miqtë dhe të afërmit e të dyshuarit argumentojnë se edhe pse ajo ishte një aktiviste kundër luftës dhe u arrestua në një demonstratë në muajt e parë të pushtimit, ajo nuk kishte një ideologji ekstreme dhe as nuk do të ishte në gjendje të vriste një person.
Bashkëshorti i Trepova-s, Dmitry Rilov , tha dje për rrjetin SVTV se beson se 26-vjeçarja është mashtruar nga disa persona, duke lënë të kuptohet se ajo mund të mos e dinte se çfarë kishte brenda bustit.
“Mendoj se gruaja ime u mashtrua. Po, është e vërtetë që askush nga ne nuk e mbështeti luftën në Ukrainë, por ne e konsiderojmë këtë lloj veprimi të papranueshëm. Jam 100% i sigurt se ajo kurrë nuk do të ishte pajtuar me një gjë të tillë nëse do ta dinte të vërtetën”.
Sipas BBC, vlerësohet se hetuesit rusë nuk e kanë përjashtuar ende mundësinë që 26-vjeçarja të mos e dinte se çfarë kishte brenda statujës.
Profili i gruas misterioze
Pra, çfarë dimë për Daria Petrova Trepova dhe jetën e saj para shpërthimit vdekjeprurës në kafenenë e Shën Petersburgut?
Një person që e njihte atë gjatë ditëve të shkollës tha për BBC se vajza studionte në një shkollë në qytetin e Pushkin, një periferi të Shën Petersburgut.
Në atë kohë, sipas të njëjtit person, “ajo dukej se nuk kishte krijuar ende një opinion për politikën ”
Burime të tjera thonë se vajza ishte e regjistruar për disa kohë në universitetin shtetëror të qytetit, por nuk dihet se në cilën shkollë ka ndjekur dhe besohet se nuk i ka përfunduar asnjëherë studimet.
Sipas një shoqeje tjetër të saj, ajo ka punuar për disa kohë në një dyqan veshjesh vintage në qytet, por e la një muaj më parë për t'u transferuar në Moskë.
Lidhur me martesën e saj me Rilovin, nuk dihet se kur ka ndodhur saktësisht dhe as si janë njohur çifti.
Por ka raportime se të dy u arrestuan në një demonstratë kundër luftës më 24 shkurt të vitit të kaluar.
Disa njerëz rreth tyre e cilësojnë martesën e tyre si një “mashtrim”, duke shpjeguar se në realitet ata janë vetëm dy miq të mirë.
Pas arrestimit të saj në demonstratën kundër luftës vitin e kaluar (për mosbindje ndaj urdhrave të policisë për t'u larguar nga vendi i ngjarjes) Trepova qëndroi në paraburgim për dhjetë ditë Dmitry Rylov besohet të ketë qenë anëtar i një fraksioni të vogël opozitar, Partia Liberale, por nuk i përket më asaj, sipas një deklarate zyrtare.
Trepova asnjëherë nuk ka pasur marrëdhënie me këtë parti, e cila pa mëdyshje e ka dënuar sulmin në Shën Petersburg.
Disa burime thonë se autoritetet ruse tani janë në kërkim të bashkëshortit të 26-vjeçares në lidhje me vrasjen e Tatarskit.
Së fundi, disa media ruse raportojnë se e reja kishte korresponduar me Tatarsky (viktimën e sulmit) dhe se ajo kishte marrë pjesë edhe në ngjarjet e mëparshme në të cilat merrte pjesë blogeri rus.