Jordan: E majta e Sorosit shënjestron çdo opozitë, kjo është e frikshme!

Kongresmeni republikan, Jim Jordan, reagoi në lidhje me padinë e ngritur ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Duke folur për rrjetin Fox News, ai tha se qëllimi i të majtës është që të shënjestrojë çdo opozitë. Jordan, që drejton Komisionin për Mbikëqyrjen në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se kjo që bën e majta, është e frikshme.

Jordan kryeson një komision hetimor parlamentar, që ka kërkuar informacione edhe për hetimin që po bën prokurori Alvin Bragg ndaj Trump.

“Ne sapo kemi marrë përgjigjen nga Alvin Bragg. Ne po e shqyrtojmë atë. Por ne mendojmë se kjo këtu është gjëja më e rëndësishme. Kjo na përfshin të gjithëve.

Nuk mendoj se është aksident që pikërisht në javën kur tatimorët trokitën në derën e Matt Taibbi-t, teksa po dëshmonte në Kongres, po atë javë ne mësuam se një prokuror i majtë, një prokuror qarku i mbështetur nga Soros, do të përndjekë ish-presidentin e SHBA”, tha ai.

Sipas tij, është i rëndë fakti se pikërisht kur gazetari i majtë, Matt Taibi po raportonte për skandalin e dosjeve të Twitter, autoritetet tatimore trokitën në derën e tij.

“Dua të them se kjo është një gjë e frikshme, që ata paguan një të huaj. Mendojeni pak, ata paguan një të huaj për të mbledhur një dosje të rreme për të spiunuar fushatën e presidentit Trump. Dhe pastaj pikërisht kur Matt Taibi po dëshmonte, tatimorët trokitën në derën e tij. Dhe tani kemi një aktakuzë ndaj një ish-presidenti, që udhëheq në çdo sondazh.

Kjo ka të bëjë me të gjithë ne, kjo ka të bëjë me përndjekjen e kujtdo që kundërshton axhendën e të majtës, axhendën e establishmentit. Dhe kjo është gjëja më e frikshme nga të gjitha,” tha ai.