Trump akuzon Sorosin/ 76% e amerikanëve: Politika ka gisht te padia

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, mbërriti në Nju Jork, ku do të përballet me një seri akuzash, që në qendër kanë dyshimet se ai ka dhënë 130 mijë dollarë për një pornostare, në mënyrë që ajo të mos fliste për aferën mes tyre.

Përpara se të nisej për në Nju Jork, ish-presidenti sulmoi sërish prokurorin që ka ngritur padinë, duke thënë se është një njeri i korruptuar i miliarderit majtist, George Soros.

Por ndërsa Trump beson se akuza është politike, shumica e amerikanëve duket se ndajnë këtë mendim.

Në një sondazh, të organizuar për më tepër nga CNN, thuhet se 76 përqind e amerikanëve mendojnë se politika ka luajtur të paktën një rol në vendimin për të paditur Trump.

Ndërkohë plot 52 përqind mendojnë se politika ka luajtur një rol shumë të madh në këtë padi.

Të pyeturit janë të ndarë në lidhje me pyetjen nëse kjo padi do e forcojë apo do e dobësojë demokracinë amerikane. 31 përqind mendojnë se do e forcojë, 31 përqind mendojnë se do e dobësojë.

Kurse 60 përqind e të pyeturve e miratojnë padinë, kurse 40 përqind nuk e miratojnë.

Trump e ka quajtur padinë një ndërhyrje në zgjedhje, ndërkohë që kjo padi i ka rritur atij pikët në sondazhet për primaret. Po ashtu padia ka ngrohur arkat e fushatës së Trump, pasi donacionet janë rritur ndjeshëm.