Sulmi me thikë shokon Tiranën/ Vajza ndërhyri për të shpëtuar babain e saj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin mbrëmjen e djeshme, ku tre persona kanë përfunduar të plagosur rëndë me thikë nga një i katërt.

Përplasja mes palëve mësohet se e ka zanafillën në një konflikt për punën dhe mospagesën, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të personit që ka kryer plagosjen e trefishtë. Sipas të dhënave të pakta që ka dhënë policia mbi këtë ngjarja, bëhet me dije se nën sulmin e një 40-vjeçari janë gjendur babë e bijë dhe bashkëshorti i kësaj të fundit.

Sipas të dhënave, i moshuari është në gjendje kritike për jetën pasi ka marrë një goditje që e kërcënon, por që për fat ngjarja ka ndodhur në Laprakë dhe Spitali i Traumës ka qenë afër, duke mundësuar që Viktor Rrapollarit, 64 vjeç, të mbërrijë në duart me mjekëve me shenja jete.

Sipas informacioneve plagë kanë marrë edhe e bija, Roxhersa, 40 vjeç dhe bashkëshorti i saj, një shtetas italian i cili rezulton të jetë edhe pronar i një kompanie në të cilën me sa duket ka pasur të punësuar autorin e sulmit.

Ky i fundit ka pretenduar se është hequr nga puna me pa të drejtë e për pasojë edhe nuk i është dhënë haku i punës, duke e çuar në atë sipërmarrje të çmendur duke sulmuar tre persona me thikë në një kafene të Laprakës.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia e Tiranës, u bë me dije se një konflikt në Tiranë ka lënë pas tre të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në Laprakë, në një lokal nga ku u mësua se shtetasi Altin Mergjushi 40 vjeç ka goditur Viktor Rrapollarin 64 vjeç, të bijën e këtij të fundit Roxhersa Rrapollari 40 vjeçe dhe shtetasin italian, Masimo Masovile 47 vjeç, bashkëshorti i Roxhersës.

Autori është larguar nga vendi i ngjarjes pas sulmit, ndërsa të plagosurit janë nisur drejt Spitalit të Traumës për ndihmë mjekësore. Viktori ndodhet në gjendje të rëndë për shkak se ka marrë një plagë në kraharor, në afërsi të zemrës. E bija dhe bashkëshorti i saj fatmirësisht janë jashtë rrezikut, teksa e para ka tentuar të mbrojë të atin duke i dalë përballë agresorit, e për pasojë ka marrë lëndime në dorë, shkruan Panorama.

Burime nga uniformat blu, bëjnë me dije se shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një borxhi i pretenduar nga Mergjushi, që kishte të bënte me çështje punësimi. Nga ana tjetër, mësohet se autori dhe të plagosurit ishin fqinj më njëritjetrin në zonën e Laprakës dhe deri mbrëmjen e të hënës, njiheshin për raporte të mira mes tyre. Mergjushi sipas të dhënave të policisë njihet nga banorët e zonës edhe si përdorues i lëndëve narkotikëve, teksa policia është vënë në kërkim të tij, pasi ende nuk dihet nëse ka dalë nga zona e banimit apo jo.

Nga sa është dëgjuar nga konflikti në lokal, Mergjushi ka pretenduar se është hequr nga puna dhe se italiani që rezulton të jetë edhe pronari i një firme, të regjistruar në QKB në vendin tonë dhe me seli në zonën e Laprakës, e ka hequr nga puna. Gjithnjë sipas asaj që kanë dëgjuar dëshmitarët autori i sulmit me thikë ka pretenduar se italiani i kishte edhe një shumë parash borxh, shumë që nuk dihet nëse ka qenë nga pagat e pashlyera, apo ndonjë borxh tjetër mes të dyve. Policia është në kërkim të Mergjushit, ndërkohë që priten verifikime shtesë në lidhje me mënyrën se si ka operuar me punonjësit pronari i firmës për të mësuar se cili ka qenë shkaku i sulmit mbi tre persona të së njëjtës familje.