SYRI TV/ Atentati trondit Durrësin, shpërthen makina e mikut të 'Rrumit'

Miku i “Rrumit të Shijakut”, Aldi Mustafa i ka shpëtuar një atentati me tritol. Ngjarja ka ndodhur në Shkozet të Durrësit, ku në makinën që udhëtonte 37-vjeçari shpërtheu një sasi tritoli, por fatmirësisht vetëm me dëme materiale. Mustafa është një emër i njohur për policinë pasi një vit më parë është kapur me armë në përgatitje për të kryer një vrasje 

SYRI TV

Atentat në Durrës ndaj mikut të të fortit te Shijakut, fatmirësisht vetëm dëme materiale. Një sasi tritoli ka shpërthyer në makinë e drejtuar nga Aldi Mustafa, i cili ka qenë i vetëm teksa drejtonte automjetin.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në aksin rrugor Shkozet - Durrës, në automjetin në lëvizje, që drejtohej nga 37-vjeçari Aldi Mustafa, ose i njohur ndryshe me emrin Esmerald Mustafa ka shpërthyer në lëvizje një lëndë eksplozive, duke shkaktuar dëme në gomën e pasme, në krahun e pasagjerit.

Sipas burimeve nga Policia e Durrësit mësohet se 37-vjeçari ka qenë i vetëm në makinë në momentin e ndodhjes së ngjarjes. Por nuk është emër i panjohur Aldi Mustafa për policinë dhe drejtësinë shqiptare.

Aldi Mustafa ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani. Mësohet se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa kohët e fundit ka pasur lidhje me ‘Rrumin’, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Një vit me parë ai është vënë në pranga në kuadër të operacionit të koduar ‘Misioni’. Policia arrestoi përveç Mustafës edhe dy të tjerë. Tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës.