VIDEO-SYRI TV/ Veliaj në panik pas denoncimit për djegësat, padit SYRI TV dhe gazetarin Bledian Koka
Erion Veliaj vijon presionet dhe sulmet ndaj mediave, edhe pse dy ditë më parë alarmoi institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Në tentativë për të ndaluar denoncimet ndaj tij për aferën e Inceneratorëve, Veliaj ka njoftuar nëpërmjet Plarent Ndrecës se ka paditur SYRI TV dhe gazetarin Bledian Koka. Padia vjen pas publikimit në emisionin Piranjat të dëshmisë së biznesmenit italian Gabriele Tarroni Longinotti, i cili rrëfeu kontaktet me kryebashkiakun e Tiranës dhe abuzimin me fondet për të blerë një incenerator të nxjerrë jashtë pune, që më pas do të instalohej në Shqipëri.
Nga SYRI TV
I përfshirë si një nga personat kyç në aferën e inceneratorëve, që me firmë i hapi rrugë ndërtimit të djegësave, Erion Veliaj ka dhënë dëshminë e radhës së frikës, për t’i shpëtuar përballjes me drejtësinë dhe denoncimet e përditshme nga ana e mediave.
Plarent Ndreca, jurist pranë Partisë Socialiste, në emër të Erion Veliajt ka njoftuar sot se ka paditur SYRI TV dhe gazetarin Bledian Koka, që përcolli në emisionin Piranjat dëshminë e Gabriele Tarroni Longinotti, një biznesmen ish-ortak i Alberto Presezzit, person kyç në sjelljen në Shqipëri e të paktën njërit nga inceneratorët.
Longinotti rrëfeu rolin e Veliajt tek Inceneratorët, si dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me të, por duket se kjo, provë e vlefshme për SPAK, ka shqetësuar Veliajn, cili nëpërmjet Ndrecës tentoi sërish mbylljen e gojës së medias e gazetarëve nëpërmjet presionit.
Plarent Ndreca, në rolin e mbrojtësit të Veliajt, dha shpjegimet se pse po e bën këtë padi. E gjitha është e lidhur me fushatën elektorale, ku Veliaj konfirmon pozitat e dobëta dhe zhgënjimin e transmetuar nga qytetarët. E me këtë akt padi, kërkon që të ndalojë edhe denoncimet e mediave.
Ky akt nuk tregon veç sulmet e Erion Veliajt ndaj mediave, që alarmuan edhe institucionet e organizatat ndërkombëtare, por edhe gjendjen e drejtësisë shqiptare. Gabriele Tarroni Longinotti konsiderohet si një nga dëshmitarët kyç të aferës së Inceneratorit të Tiranës, pasi ka qenë ortak i një prej personave të përfshirë në aferë, por ai nuk u morr kurrë në pyetje nga SPAK.
Ai u akuzua dhe arrestua në Shqipëri për mashtrim, si i akuzuar nga po të njëjtit protagonist, por Gjykata e Apelit dha pafajësinë ndaj tij, e prej lirimit nga burgu Longinotti u arratis për të mos pasur më kontakt me drejtësinë shqiptare.