FOTO/ Shpërthen Daçiç: Ndërkombëtarët do mbajnë përgjegjësi, nëse formohet ‘Shqipëria e Madhe’

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka paralajmëruar BE-në, SHBA-në, si dhe Britaninë e Madhe se do të mbajnë përgjegjësi për pasojat që do të vijnë në rast se nuk reagojnë ndaj deklaratave të fundit të politikanëve shqiptarë për bashkimin e trojeve shqiptare, të Shqipërisë, Kosovës dhe të tri komunave me shumicë shqiptare në jugun e Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanovc.

Duke reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Bujanovcit, Jonuz Musliut se “bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është i pakuptimtë pa bashkimin e Luginës së Preshevës, pa Medvegjën, Bujanocit e Preshevës”, Daçiç deklaroi se ky është kërcënim ndaj paqes në Ballkan e Evropë, shkruan gazeta serbe Beta.

“Deklaratat e koordinuara Rama, Thaçi dhe Musliu tregojnë se ‘Shqipëria e Madhe’ është synimi i gjithë shqiptarëve. Sot Musliu kërkon që Shqipëria të jetë deri në Nish, por nesër mund të kërkojë të jetë në Shkup, Ulqin apo Epir. Nëse BE, SHBA, Britania e Madhe nuk reagojnë kur Shqipëria të ketë arritur në Nish, atëherë ato do jenë përgjegjës për pasojat”- deklaroi Ivica Daçiç.