‘90 milionë euro në vit për inceneratorin e Tiranës…’, Meta: Këto para i ka marrë ‘kuçedra’ offshore në Holandë
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se vetëm gjatë këtij vit nga buxheti i Bashkisë së Durrësit kanë kaluar për inceneratorin e Tiranës 90 milionë euro.
Komentet Meta i bëri gjatë një takimi në Berat, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki.
Meta tha se për fat të keq këto para kanë shkuar për atë që ai e quajti si “kuçedra” offshore në Holandë, pasi sipas tij, nuk ekzisotn as inceneratori dhe as ndarja dhe diferencimi i mbetjeve.
“Të përkrahim fortë kandidaturën e mrekullueshme të doktor Ziajit. Natyra e tij bashkëpunuese, gjithëpërfshirëse përtej dallimeve partiake është një garanci e fortë që kjo do të jetë një bashki për të gjithë qytetarët. Nuk do të jetë një bashki që kryetari hyn nga dera kryesore dhe del nga mbrapa që të mos ketë mundësi të përballet me qytetarët. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” do të jetë një garanci e transparencës. Çdo taksë që jepet do të ketkohet llogari sesi shpenzohet. Të gjitha këto do të rikthejnë dinjitetin e qytetarëve të Beratit, që është rimëkëmbur nga “Rilindja”. Jam i bindur në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, sepse e njoh mirë situatën në këtë tre qendra.
Kemi një model me kandidatë të zgjedhur dhe një model me kandidatë të imponuar që nuk guxojnë të përballen me qytetarët. Këta e kanë të pamundur, për çfarë do të përballen në Durrës? Vetëm këtë vit kanë kaluar gati 90 milion euro nga buxheti i Durrësit për Inceneratorin e Tiranës. Për ti marrë ajo kuçedra offshore në Holandë. Sepse atje djegie dhe diferencim nuk ka. Ky model duhet të ndëshkohet me votë. Asnjë që kam pyetur nuk e ka ditur emrin e kryetares së Këshillit Bashkiak të Tiranës, që adimistron 350 milion euro në vit. Kur mungon kjo lloj transparence në Tiranë, që është gjithë vënendja e mediave, imagjinoni çfarë bëhet në Shqipëri.
Marrëveshja që unë kam firmosur me Berishën, nuk është një marrëveshje për pushtet, por një marrëveshje për ndryshim. Ne do të vazhdojmë edhe me referendumet. T’ia kthejmë fuqinë popullit shqiptar që të ketë mundësinë të reagojë. Jemi një nga vendet e para në botë përsa i përket shpopullimit. Ju nuk besoj se keni parë ndonjë vend tjetër nga Ballkani apo Europa një vend që të jenë larguar kaq banorë. Të gjitha përpjekjet tona në këto pak javë që kanë mbetur, për të realizuar këtë ndryshim, për të zgjedhur doctor Zijain si kryebashkiak të Beratit, projektin e tij që garanton transparencë, të votojmë për këshillin bashkiak koalicionin tonë “Bashkë Fitojmë”, sepse do të jetë garancia për të mbështetur kandidatin tonë.
Do të hyjmë në një epokë tjetër të llogaridhënies, të demokracisë dhe të luftës kundër korrupsionit. Nëse rriten rrogat në Kosovë, kjo ndodh sepse atje luftohet korrupsioni. Të gjithë në 14 maj të çrrënjosim monizmin në pushtetin vendor në Berat dhe në gjithë Shqipërinë. Besoj shumë në këtë bashkim dhe pa asnjë diskutim jam i bindur se Doktoj Zijai do të jetë një model”, u shpreh Meta.