Berisha: Ne i nderojmë martirët e votës së lirë, por mjerisht sot i nderojmë në kushtet e një monizmi të plotë

Duke përkujtuar 4 martirët e demokracisë, të vrarë në 2 prill në Shkodër, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu si dhe Besnik Ceka, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij, tha se sot i kujtojmë këta martirë, mjerisht në kushtet e një monizmi të plotë.

‘Tanket, autoblindat e ushtrisë u derdhën në qytetin bastion të anti-komunizmit. U derdhën mbi Shkodër, e cila qëndroi si epiqendra kryesore e anti-komunizmit në Europë.

Sakrifica sublime e Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës jehoi në mbarë botën e lirë. Ajo shënoi gjithashtu një vetëvrasje të vërtetë për diktaturën komuniste në grahmat e fundit. Bota pa se kjo diktaturë nuk pajtohej me votën e lirë. Se për këtë diktaturë, opozitarët, ata mendonin dhe votonin ndryshe, ishin armiq për t’u vrarë.

Sakrifica e martirëve të 2 prillit u shndërrua në një kushtrim për mbarë shqiptarët. Ata në fakt, u bënë dritë. Shpirti i tyre u bë dritë për shqiptarët në rrugën e përmbysjes në votën e lirë në 22 mars të diktaturës komuniste.

Ne sot i nderojmë martirët e votës së lirë pas 32 vitesh, por mjerisht, i nderojmë në kushtet e një monizmi të plotë. I nderojmë në kushte të njëjta me ato që ekzistonin ditën që ata ranë për t’u bërë të pavdekshëm’, - theksoi gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.