Berisha: Skavica aferë korruptive, Bechtel të heqë dorë! Babëzi-Balluku udhëton me 22 mln euro me vete
Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi nga Dibra se Skavica është një aferë korruptive.
“Janë vërsulur të mbysin Dibrën. Skavica është varri i Dibrës. A do pranojmë ne të bëhemi mortorë në varrimin e saj? Të largosh 20 mijë banorë, çfarë mbetet në Dibër? E gjitha vepër korrupsioni, e gjitha vepër hajnie.
Projekt i Enver Hoxhës. Por diktatori e kishte mbyllur nga të katër anët Shqipërinë dhe bëri digat. Dibrën vendosi ta çoj në Hoxharë. Megjithatë nuk guxoi. Përmbysi fshatra të mrekullueshëm, por ajo që përmbyste më shumë ishte Skavica. U ndal.
Një vend i lirë, që ka mundësi me erë dhe diell, të shkojë dhe të përmbysë 32 fshatra, të përmbysë një krahinë, duhet të jesh pa asnjë ndjenjë njerëzore ose nuk duhet të jesh normal nga kapacitetet mendore të marrësh një vendim të tillë.
Afera e Skavicës është një aferë korruptive. I kërkoj kompanisë Bechtel të heqë dorë sepse është kontratë pa garë dhe këto kontrata pa garë janë korruptive. Tani po shet aksionet, i bëj thirrje qeverisë britanikë të mos lejojë kompanitë britanike të blejnë aksione. Sepse Dibra nuk mund të varroset. Dibra do ecë në shekuj dhe mijëvjeçarë e lirë!” tha Berisha.
Ai rezervoi akuza edhe për ministren Belinda Balluku.
“Kanë krijuar një sekt që vjedhin nga mëngjesi deri në darkë. Udhëton për vete me avion me dhomë gjumi, shpenzon sikur të ishte i biri i sulltanit të Arabisë Saudite, 22 milionë euro udhëtime.
Ajo ministrja që vjen këtu është Babëzi-Balluku. A e dini se ajo ulet në tryezë dhe porosit biftekun sa një ka, 1 mijë euro? Po njeriu ka një sens, njeriu publik ka një sens, ka një ndjeshmëri ndaj atyre që qeveris.
Niset jashtë shtetit me thesar 22 milionë euro. Po ku i çon këto 22 milionë euro?
Ishte tjetra, vinte në mbledhjet e partisë në Dibër me helikopter. Këta nuk kanë lidhje me ju, këta ju urrejnë ju, ndaj koha është të bashkohemi,” tha Berisha.