'Balluku në Dibër ka interesin e asaj 'kuçedrës' në Skavicë sepse u sjell përfitime qindra milionë dollarë'
Çlirim Gjata, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe i dërguar politik për qarkun, gjatë takimit në Dibër ku po prezantohet kandidati i opozitës për kryetar bashkie, Ismail Uka, akuzoi në veçanti zëvendsëskryeministren Belinda Balluku se është zhvendosur me gjithë administratën e saj në Dibër për të realizuar projektin e Skavicës, që përmbyt dhjetëra fshatra të zonës.
Gjata theksoi se Balluku "ka interesin e asaj “kuçedre” që po vendoset atje në Skavicë dhe do të zhdukë Dibrën nga harta dhe për ta do të sjellë përfitime dhe pastrime për qindra milionë, s’po them miliarda dollarë".
"Përse u bë ajo reformë territoriale, - tha Gjata në fjalimin e tij, - kur administrata lokale është rritur dhjetëfish në numër?! Kur gjysma e tyre as nuk paraqiten ndonjëherë në punë po marrin rrogat në bankomat në Tiranë?! Kur një pjesë e mirë e tyre jetojnë edhe jashtë shtetit edhe njerëzit e tyre të afërt u marrin rrogat këtu?!
Çfarë mund t’i sjellin ata pushtetit vendor, çfarë mund t’i sjellin ata Dibrës?!
Këtu fillon ndryshimi, duke zgjedhur Ismail Ukën! Kjo gjendje duhet të ndryshojë, administrata duhet t’u kthehet qytetarëve dhe të punojë për ta.
Po përse Belinda Balluku është transferuar me gjithë administratën e Tiranës, ministrinë dhe ndërmarrjet e saj në Dibër?! Çfarë interesi ka?!
Sepse ka interesin e asaj “kuçedre” që po vendoset atje në Skavicë dhe do të zhdukë Dibrën nga harta dhe për ta do të sjellë përfitime dhe pastrime për qindra milionë, s’po them miliarda dollarë.
Ky është shkaku që ata po ngulmojnë kaq fort. Nuk i bëhet vonë se çfarë ndodh me historinë, gjeografinë dhe fatet e mijëra jetëve në Dibër, por u intereson vetëm fati i tyre, u intereson pastrimi i parave të krimit ndërkombëtar të organizuar jo më thjesht vendas.
Ky është shkaku që ata kërkojnë dhe ky është shkaku që ne duhet ta marrim Dibrën, sepse ne nuk kemi toka shqiptare për t’ua dhënë krimit të organizuar!”