Shkelje dhe abuzime me detyrën/ Piranjat zbulojnë raportin 'Sekret' të auditit për drejtoreshën e Arsimit në Durrës

Një audit i bërë për vitin 2022 në Drejtorinë Arsimore të Durrësit, ka zbuluar një mori shkeljesh dhe abuzimesh me detyrën.

Piranjat kanë zbuluar këtë dokument “sekret” auditimi dhe janë ballafaquar me drejtoreshën e Arsimit, Amarilda Thërmija.

Çfarë rezulton na ky audit?

Drejtuesja e Arsimit ka bërë punësime jashtë kritereve, pa asnjë kërkesë paraprake nga drejtoritë e shkollave.

Investigimi i “Piranjave”

Piranjat-drejtoreshës: Jepni llogari për shkeljet e auditit.

Amarilda Thërmija: Kam ku jap llogari dhe asgjë s’ka ndodhur.

Ledjona: Ju vazhdoni qëndroni në atë vend pune.

Detyrën ajo e mori në muajin shkurt të vitit të kaluar.

Dhe arsyeja pse po kërkojmë të mësojmë diçka nga vete ajo, është ky draft raport i vitit 2022 për vlerësimin e punës të Drejtorisë vendore të arsimit parauniversitar në Durrës, draft i cili ende nuk është bërë publik.

Dhe është firmosur nga tre zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të arsimit parauniversitar: Lindita BERBERI, Bajame SKËNDERAJ dhe Eugen MINO.

Po cilat janë shkeljet në këtë raport, që shqetësojnë kaq shumë zonjën drejtore (Amarilda Thërmija)? Le ti rendisim disa prej tyre.

Piranjat: Ju keni punësuar mësues pa u shpallur më herët nga drejtoritë e shkollave?

Amarilda: Ajaja…

Piranjat: Pse i keni bërë këto? Amarilda më ktheni një përgjigje, pse keni punësuar mësues pa i shpallur drejtoritë e shkollave?

Amarilda: Në qoftë se është kështu…

Piranjat: Pse keni punësuar mësues ndihmës pa kualifikim? A është normale?

Amarilda: Vazhdo pak… Më vjen keq…

Piranjat: Janë shkelje të konstatuara nga auditi, nuk janë nga ne.

Amarilda: Vazhdo.

Bëhet fjalë për punësime që zonja ka bërë jashtë kritereve, pa asnjë kërkesë paraprake nga drejtoritë e shkollave, e thënë në gjuhë zyrtare, pa shpallje.

“Jo ka procedurë, e para shpallet njëherë vendi vakant. Pas shpalljes së vendit vakant njoftohet zyra vendore arsimore. Zyra vendore arsimore e shpall ose thërret më saktë, ata që janë në portal. Kjo bëhet me shpallje nuk bëhet as me Whatsapp, as me FB apo email qoftë dhe zyrtarë të jetë. Ka procedura, procedura e thotë saktë. Nuk mund ta vendosësh ti ende pa u shpallur sepse do një vendim si do ta bësh vendimin bazë të kujt? Se ai do punësohet do ta çosh tek zyra e tatimeve se do marrë pagën. Do ti mbahet paga, do ti mbahet pensioni, do ti mbahen sigurimet, e tje e tje. Ka rregulla shteti”.

Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit

Thënë shkurt, jemi kokë e këmbë në abuzim me postin, që zonja Amarilda Thërmija duket se e përdor pa ndjekur asnjë rregull dhe kriter. Por shkeljet vazhdojnë.

Sepse, sipas raportit kandidatët për mësues që kanë konkurruar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, nuk janë njoftuar në të njëjtën kohë, duke shkaktuar zvarritje në plotësimin e vendeve vakante. Për më tepër informacionin e merrnin me email.

Piranjat: Pse i keni bërë njoftimet e punës nëpërmjet email-it?

Amarilda: Unë të besova ty dhe të erdha në intervistë.

Piranjat: Edhe unë i besova këtij auditi dhe po ju them më ktheni përgjigje. Audit i ka nxjerrë shkeljet, nuk i kam nxjerrë unë.

Amarilda: Nuk është e vërtetë asgjë.

Piranjat: Nuk është i vërtetë ky raporti?

Amarilda: Jo!

Piranjat: Domethënë ja ka futur kot auditi?

Amarilda: Ke marrë informacione të gabuara. Nuk ju jap llogari, keni marrë informacione të gabuara dhe asgjë s’ka ndodhur.

Për profilet me shumë kandidatë, si rregull, ZVAP Durrës njoftonte një pjesë të kandidatëve, por respektonte renditjen e tyre në listën e portalit “Mësues për Shqipërinë”, duke e justifikuar këtë për arsye praktike. Por, duke parë numrin e vogël të kandidatëve që konfirmonin me email dhe të atyre që paraqiteshin fizikisht në mjediset e ZVAP pas çdo thirrjeje, rezulton se kjo praktikë është e pabazuar. Në rastet kur nuk kishte kandidatë të grupit të parë të thirrur, të gatshëm për të pranuar një vend pune, procedura vijonte duke njoftuar pjesën tjetër të kandidatëve dhe si rezultat, procesi zgjatej më tej.

Pjesë nga raporti

“Si mundet që një pjesë lajmërohen një pjesë nuk lajmërohen një pjesë ju thuhet me email një pjese nuk u thuhet? Pastaj kur s’përmbushen këta ju kthehen prapë email. E drejta është e barabartë dhe ti i ke mohuar barazinë e shtetasve para konkurrimit që është një e drejtë kushtetuese nuk është ligjore është sipër ligjit. Kemi parë në raste të tjera që ti dënohesh për shkeljen e barazisë në tendera që do të thotë që nuk kam qenë i barabartë në konkurrim s’është vetëm çështje parash nuk ka rëndësi nëse ke bërë një punë të mirë.”

Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit

Shkelja e radhës ka të bëjë me emërimin e mësuesve ndihmës të pakualifikuar. DOKUMENTAT.

(-Zyra Vendore e Arsimit në Durrës referuar memos së transparencës dërguar në Drejtorinë Rajonale të Arsimit, Durrës dhe Drejtorisë së Përgjithshme së Arsimit Parauniversitar për profilin “Arsim Special” si mësues ndihmës ka deklaruar për periudhën shtator-tetor 2022, vetëm 1 punësim nga Arsimi special dhe jashtë profilit si mësues ndihmës 13 mësues.”)

Ndriçim Mehmeti: “13 mësues jashtë profilit nuk ju vijnë në ndihmë aspak përkundrazi i çoroditin”.

Dhe ata që e vuajnë këtë situatë, janë fëmijët me aftësi ndryshe. Por le të vazhdojmë me auditin dhe shkeljet e konstatuara. Sepse kjo që do të dëgjoni, është diçka e padëgjuar, dhe mjaft e rëndë.

Sipas raportit, në sistemin e tatimeve, nuk janë hedhur të gjithë të punësuarit referuar datës së lidhjes së kontratës mes mësuesit dhe drejtorit të Institucionit të Arsimit Parauniversitar, por janë pasqyruar nga 2-10 ditë më vonë.

Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit: “Kjo është shkelja më e madhe. Mbaj mend që në 2011 është çuar për gjykim penal ish drejtori I zyrës arsimore vendore diku pranë Tiranës vetëm për këtë fakt. Bëhet fjalë për 42 punonjës të cilët nuk ishin paraqitur në zyrën e tatimeve, në qoftëse kemi vonesë qoftë dhe një ditëshe tatimet thonë: Nëse brenda 24 orësh ti nuk e regjistron njeriun me të cilin ke kontratë do paguash për secilin 1 milionë lekë të vjetra gjobë, se tatimet I japin të drejtën qytetarit. Pas 2012 çdo gjë është te e-albania pra vete nesër dhe I thua kam që në shkurt në punë ai thotë më ka ardhur në mars. Që do të thotë që të ikën 3-4% të pensionit po s’ka rëndësi qoftë dhe një 2 mijë lekësh i vjetër. Është një shkelje akoma më e rëndë se I ke mohuar të drejtën. Nuk e di si e ka marrë rrogën”.

Për shkak të abuzimeve të kësaj zonje, në një të ardhme, mësuesve mund t’iu rrezikohet pensioni i plotë. A duhet të mbajë përgjegjësi?

Piranjat: Më jepni një përgjigje vetëm për shkeljet që janë bërë këtu. Amarilda më kthe një përgjigje të shkurtër janë shkelje të konstatuara nga auditi.

Amarilda: Asnjë shkelje s’ka.

Pavarësisht saktësisë së auditit, zonja mohon çdo gjë, që shkruhet në raport. Ndoshta Ministria e Arsimit na e sqaron më mirë. Dhe në përgjigjen që na sollën, saktësohet se Amarilda Thërmija, jo vetëm është në shkelje, por edhe është penalizuar për veprimet dhe mosveprimet.

Përgjigjia e ministrisë: (Vërejtje me paralajmërim)

Po a mjafton kjo masë nga ministria, që ngjan me një gudulisje në adresë të Drejtores së Durrësit?

Ndriçim Mehmeti, ekspert arsimi: “Me këto shkelje sipas ligjit minimalisht duhej të pezullohej, se këtu u pezullua një drejtoreshë se u rrahën mësueset jashtë territorit. Jashtë ambienteve të shkollës. Duhej bërë një hetim I thellë, I thellë administrativ. Drejtoria e përgjithshme e arsimit parauniversitar e kishte për detyrë që të ngrinte alarmin në këtë rast”.

Shkeljet e cituara nga ne, ishin vetwm disa nga të shumtat që raporti i auditit nga Ministria, ka konstatuar në Drejtorinë vendore të Arsimit parauniversitar në Durrës. Ky raport përmban mbi shtatëdhjetë faqe, me shkelje të njëpasnjwshme, të cilat janë kaluar thjeshtë me një paralajmërim për titullaren.

Por ka edhe diçka që nuk lidhet me raportin e auditit. Zonja drejtore ka më shumë se një vit e komanduar në atë post, duke evituar konkursin e nevojshëm për një pozicion të tillë.

Piranjat: Keni bërë konkurs apo jo?

Amarilda Thërmija: Nuk është e drejtë të jap asnjë lloj interviste, asnjë lloj…

Këtë argument na e vulos përgjigja e Ministrisë së Arsimit në të cilën thuhet se zonja Thërmija është punësuar si drejtuese e zyrës vendore të arsimit në Durrës, me kontrate të përkohshme, deri në zhvillimin e procedurave te konkurimit.

Procedura që mesa duket vijojnë të zvarriten pafund. Duke evituar emërimin me konkurs, të trumbetuar nga autoritetet.

Ndriçimi Mehmeti, ekspert i arsimit: “Këtë na e ka mësuar i pari i vendit, i cili brodhi zyrë më zyrë dhe drejtori në drejtori dhe tha ja për herë të parë po bëjmë konkurs. Sigurisht ata bënin konkurs brenda vetes, po të paktën bënin një lloj konkursi të themi që ligjërisht është i drejtë. Pa dashur ta bëjmë politike po është politike, u bë si tek tenderat fiton vetëm një ofertues të tjerët tërhiqen dhe këtu nuk ka dashur asnjë të bëhet drejtor, asnjë nuk ka ambicie të jetë drejtues, që është e pamundur”.

Po niveli i shkollimit i zonjës që drejton të gjithë sistemin arsimor të Durrwsit, a është për t’u riparë? Mjafton të shohësh notat e marra në vitet e universitetit për të kuptuar dominimin e pesës.

Që sipas ekspertit është një skandal më vete.

Ndriçimi Mehmeti, ekspert arsimi: “Kemi një nivel shumë të ulët të formimit që nuk krahasohet dhe me nivelet e mësuesve që do drejtojë dhe nuk është provuar asnjëherë në menaxhim. Po të shikosh standardet që të emëruar një mësues atij i thuhet se duhet të kesh kriter mesataren dhe me standardet e mesatares që ka nuk futet dot asnjëherë mësues, sepse ka nivel shumë të dobët. Shumë, shumë mund të marrë 2 pikë. Ndërkohë që një kolegia e saj që ka mesataren 8 mund të marrë 5 apo 6 pikë dhe që këtu është e përjashtuar.”

Për këtë nivel të personit që drejton një zyrë arsimore të rëndësishme, Ministria ka justifikim duke u bazuar në ligj.

Pra mesatarja e shkollës se një individi që drejton gjithë sistemin arsimor të një qyteti, nuk qenka kriter skualifikues.

Ndriçim Mehmeti: “Pra ka një përjashtim të faktit që nuk mund të jetë drejtuesi në nivelin nën mesataren e mësuesit, pra të vartësit që ai ka. Eprori nuk mund të jetë nën nivelin e vartësit.”

A mos duhet riparë ligji për këto raste?