Manipuloi zgjedhjet në 33 vende/ Ja izraeliti që ndihmon sojin e Ramës dhe Vuçiç të përbaltin opozitën

Përpara disa javësh, gazeta ‘Guardian’ publikoi një investigim tronditës.

Sipas saj, një izraelit i quajtur Tal Hanan drejton një ekip që ka manipuluar zgjedhjet në të paktën 33 vende të ndryshme të botës. Ekipi i 50-vjeçarit njihet ndryshe edhe me emrin ‘Skuadra Jorge’, për shkak të pseudonimit të izraelitit.

Ish-operativi i forcave speciale përdor hakerimin, sabotimin dhe përhapjen e dezinformacioneve në media për të manipuluar zgjedhjet për llogari të pushtetarëve të fuqishëm.

Kur u publikua investigimi, një nga gazetaret e ekipit ndërkombëtar që publikoi skandalin, tha se tentakulat e ‘Skuadrës Jorge’ janë të shtrira në Ballkan. Nuk u desh shumë dhe Projekti për Raportimin e Korrupsionit dhe Krimit të organizuar zbuloi se si presidenti serb, Aleksandër Vuçiç kishte blerë shërbimet e izraelitit.

Historia e shpjeguar me pak fjalë është kështu:

Në fillim të vitit 2021, mediat zbuluan se Vuçiç ishte i lidhur me një grup vrastar të krimit të organizuar. Siç e do zakoni, Vuçiç u kundërpërgjigj duke thënë se pas këtyre akuzave qëndron rivali i tij politik, ish-kryebashkiaku i Beogradit, Dragan Dilas.

Nuk u desh shumë dhe pas gjashtë ditësh, mediat pro-qeveritare publikuan ‘skandalin’. Sipas tyre, Dilas ka fshehur miliona euro në llogari offshore. Ato publikuan një dokument ku thuhej se bëhet fjalë për të paktën dy llogari me vlerë 6.4 milionë euro.

Dilas nuk kishte kohë as të merrte frymë kur u gjend në mesin e një furtune nga gazetarët, qeveritarët, por edhe drejtësia, të cilat kërkonin ‘kokën’ e tij.

Dilas deklaroi se lajmi ishte i trilluar dhe se dokumenti që kishin paraqitur ishte fals. Siç mund të veprohet në një vend normal, ai iu drejtua gjykatës, por kjo e fundit refuzoi padinë e tij.

U desh investigimi i PRRK për të zbuluar se pas këtij manipulimi qëndronte Tal Hanan, që kishte falsifikuar dokumentin për llogaritë bankare.

Ndërkohë sot, deputetja e LSI, Monika Kryemadhi, e vendosur në qendër të një furtune të ngjashme me atë që ngriti Vuçiç në Serbi, tha se historitë për llogaritë e saj bankare offshore dhe lobimet ruse janë një manipulim i qartë i stilit të Tal Hanan.

Ajo tha se ka të dhëna se Rama, njësoj si Vuçiç, po punon me manipulatorin izraelit.

Nuk është ndonjë çudi, jo vetëm për shkak se Rama ka të njëjtin stil manipulimi si Vuçiç dhe sepse është i fiksuar pas izraelitëve të propagandës dhe mashtrimit.

Por sot Rama i fryu edhe më shumë zjarrit, njësoj si Vuçiç, kur bëri një postim me germa cirilike për të sulmuar Kryemadhin. Edhe ai si Vuçiç, vendos të përbaltë opozitën sa herë është në kulmin e skandaleve.

Nuk thonë kot që autokratët jo vetëm mendojnë njësoj, por tani edhe ‘operativët’ i kanë të njëjtë.