Shantazhi/ Pse hesht Erion Veliaj për gjobat e gazetarëve të Karlo Bolinos?

Në mesin e skandaleve të përditshme të qeverisjes në Shqipëri, një audiopërgjim i Adriatik Doçit, gazetarit të Karlo Bolinos, i cili rrëfente se si vendos gjoba lart e poshtë, kaloi me më shumë heshtje.

Gazetari i Bolinos tha se atij i përkulen që nga Edi Rama e deri te ministra e drejtorë.

Madje tregoi edhe raste konkrete të gjobëvënies. Diku në disa portale pati një gjysmë-lajm se kanë nisur hetime për këtë skandal.

Por heshtja që binte më shumë në sy ishte ajo e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ky i fundit është i implikuar në mënyrë të pashmangshme me median e Bolinos në aferën e inceneratorëve.

Nga salla e Kuvendit, kandidati opozitar për Tiranën, Belind Këlliçi, publikoi një dokument ku tregonte se si Veliaj e paguante Bolinon përmes inceneratorit të Tiranës.

Në dokumentin tronditës të publikuar nga Këlliçi, tregohej se si Klodian Zotos i kërkohej që të jepte të tjera fonde për mediat e Bolinos sepse duheshin për fushatën.

Ai e miraton kërkesën e ardhur nga inceneratori i Tiranës. Dokumenti skandaloz i përket prillit 2021, kur bëhej fushata e zgjedhjeve të përgjithshme.

Erion Veliaj ishte drejtuesi politik në Tiranë dhe kujdesej që fondet të shpërndaheshin në drejtimin e medieve të tij.

Por ndërsa heshtja e Veliajt mund të duket e kuptueshme, në vend që të fliste për këtë gjobëvënie, ai sulmoi disa faqe memesh në Shqipëri, vetëm pse kishin kritikuar shërbimin e transportit publik. Sulmi i ndyrë i Veliajt, me kërcënime me jetën, erdhi pasi kandidati opozitar publikoi planin e tij për transport publik falas në Tiranë.

Të gjitha këto vijnë pikërisht në ditën kur mediat raportuan se kreu i SPAK, Altin Dumani ka deklaruar se nuk ka ndërmend të hetojë për inceneratorin e Tiranës.

Madje në mënyrë skandaloze, ai tha se nuk e dinë se kush janë pronarët realë të inceneratorëve.

Ta mendosh që Veliaj paguan çdo muaj miliona për këtë incenerator. Le të gjurmojë pagesat e Veliajt dhe do e kuptojë se kush është bosi i kësaj mega-afere.