Avokati Llangozi: Kreshnik Hajdari ka falsifikuar formularin e vetëdeklarimit, duhet t’i hiqet mandati
I ftuar në Syrin Digjital me gazetarin Bled Markun ishte avokati Arben Llangozi, i cili ka paraqitur kërkesën në organet e drejtësisë për t'i hequr mandatin kryetarit të bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari.
Llangozi është shprehur se Hajdari ka fshehur dhe falsifikuar formularin e deklarimit ku nuk e ka specifikuar se ka qenë i ndalur në një shtet tjetër jashtë Shqipërisë.
"Ne po bëjmë gati 2 vjet, që së bashku me fshatin Lumas kemi ndjekur hap pas hapi veprimtarinë kriminale të Kreshnik Hajdarit, kryetarit të bashkisë Kuçovë. Ky kryetar bashkie ka dhënë një tender në një zonë të mbrojtur pa pyetur komunitetin.
Ky vendim është në kundërshtim me konventën ndërkombëtare që është ratifikuar nga 198 shtete. Hajdari, që në momentin që nuk merrte parasysh komunitetin, na kanë lindur dyshimet se kishim të bënim me një kryetar gangster, që si qëllim kishte vetëm përfitimet vetjake.
Nga informacionet e marra zyrtarisht na ka rezultuar se shtetasi Kreshnik Hajdari ka qenë i dënuar penalisht në shtetin grek. Politika mund dhe do të tentojë ta mbrojë se ka ikur atje si të gjithë shtetasit e tjer, por ne kemi ngritur çështjen se ai duhet ta shënonte në deklarim se ka bërë burg dhe është ndjekur penalisht.
Në formularin e deklarimit e vitit 2019 ai e ka mashtruar tri herë duke e falsifikuar formularin e për pasojë KQZ duhet ta skualifikojë nga gara elektorale në 14 maj."