Rikthehet kampionati pas sfidës së Kombëtares në Poloni, ndeshjet e javës së 27-të
Kampionati “Abissnet Superiore” do të rikthehet sërish këtë fundjavë pas pauzës 10 ditore të imponuar nga ndeshjet e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2024, ku Kombëtarja shqiptare u përball me Poloninë.
Këtë fundjavë do të luhen ndeshjet e javës së 27-të, teksa Departamenti i Garave ka përcaktuar edhe agjendën e plotë me ditët dhe oraret e takimeve.
Më konkretisht, të pesta ndeshjet e kësaj jave të 27-të do të luhen të shtunën e 1 prillit dhe të dielën, më 2 prill.
Të shtunën, Kukësi do të luajë kundër Egnatias në stadiumin “Kukësi Arena” në orën 15:00, ndërsa në po të njëjtën orë, Vllaznia do të presë në stadiumin “Loro Boriçi”, Bylisin.
Sakaq, në stadiumin “Niko Dovana” do të zhvillohet ndeshja Teuta-Partizani (ora 18:00).
Të dielën do të luhen edhe dy sfidat e tjera të javës së 27-të. Laçi do të udhëtojë drejt Kamzës, ku do të përballet me Kastriotin, teksa ndeshja është planifikuar të luhet në orën 15:00.
Ndërkaq, ndeshja e fundit e javës së 27-të është Tirana-Erzeni, që do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 18:00.
Java e 27-të
E shtunë, 1 prill 2023
Kukësi-Egnatia, ora 15:00, ‘Kukësi Arena’
Vllaznia-Bylis, ora 15:00, ‘Loro Boriçi’
Teuta – Partizani, ora 18:00, ‘Niko Dovana’
E diel, 2 prill 2023
Kastrioti-Laçi, ora 15:00, ‘Kamza stadium’
Tirana-Erzeni, ora 18:00, ‘Elbasan Arena’