SYRI TV/ Konflikt për pronën në Lushnjë, plagoset një grua, flet babai i të akuzuarit: E inskenuar nga pala tjetër

Pasi u plagos Bajame Seneja në fshatin Garunjë të Lushnjës, reagoi babai i personit të shpallur në kërkim nga policia si autor i dyshuar i ngjarjes. Shaip Hasalla, tha se djali i tij ndodhet në Greqi prej dy javësh dhe nuk ka lidhje me ngjarjen. Hasalla u shpreh se plagosja është inskenim, pasi gjykata e dënoi me burg Kastriot Hasallën si autor të vrasjes së djalit të tij në vitin 2021. Dy familjet e të njëjtit fis, kanë prej vitesh konflikte pronësie, të cilat kanë rezultuar me një viktimë dhe katër të plagosur.

Nga SYRI TV

Një ditë pas plagosjes së 60-vjeçares Bajame Seneja në fshatin Garunjë të Lushnjës, ka folur Shaip Hasalla, babai i njërit prej autorëve të dyshuar për ngjarjen. Sipas Shaip Hasallës, i biri i tij, Armand Hasalla është në Greqi prej dy javësh dhe nuk ka të bëjë me ngjarjen.

Ngjarja e së enjtes ndodhi vetëm pak orës pasi përfundoi gjyqi mes dy familjeve të të njëjtit fis në fshatin Garunjë. Kastriot Hasalla, vëllai i të plagosurës, u dënua me 35 vite burgim për vrasjen e Romeo Hasallës në vitin 2021, djalit të Shaipit.

Ky i fundit u shpreh se ka qenë dje në gjyqin për djalin e vrarë për shkak të konflikteve të pronësisë, por fëmijët e tij nuk kanë lidhje me plagosjen e Bajame Senejës, pasi çështjen e kishin lënë në dorë të drejtësisë.

Shaip Hasalla e sheh  ngjarjen si inskenim nga kushërinjtë e tij, por Afrim Hasalla, vëllai tjetër i të plagosurës akuzoi një ditë më parë të birin e Shaipit, Laert Hasallën, si autor të dyshuar të ngjarjes, ndërsa policia ka shpallur në kërkim vëllanë e Laertit, Armand Hasallën.

Dy familjet brenda fisit Hasalla në fshatin Garunjë prej vitesh kanë pasur konflikte për pronën, të cilat kanë çuar deri në shkrepjen e armëve të zjarrit, ku për pasojë ka humbur jetën djali i Shaip Hasallës ndërsa janë plagosur katër persona të tjerë.