SYRI TV/ PD denoncon aferën e qeverisë: Thjeshtra e Ramës, provë e lidhjes me inceneratorët!
Partia Demokratike ka denoncuar sërish vjedhjet e qeverisë me anë të skemës korruptive të inceneratorëve. Në një deklaratë për mediat anëtari i kryesisë së PD-së, Enno Bozdo teksa publikoi prova të reja që tregojnë lidhjet e Ramës me këtë aferë, i bëri thirrje SPAK që të mos bëjë të paditurin, përballë këtyre provave.
SYRI TV
Partia Demokratike ka publikuar të tjera prova të cilat tregojnë implikimin e kreut të qeverisë Edi Rama në aferën me inceneratorët.
Nga selia blu, anëtari i kryesisë së PD-së, Enno Bozdo bëri dije se si studio ku punon vajza e Linda Ramës, bashkëshortes së Edi Ramës u kontraktua nga Klodian Zoto për të bërë një projekt mbi Porto Romanon.
"Nëse kthehemi mbrapsht në kohë, ekzaktësisht 1 vit e një muaj, pikërisht ne datën 01.04.2019, lidhet një kontratë midis Integrated Energy, kompanisë së Inceneratorit të Tiranës, dhe studios arkitekturore Casanova-Hernandez. Objekti i kësaj kontrate është zhvillimi i projektit Eko-Park në Durrës mbi Landfildin ekzistues në Porto Romano. Vlera e kontratës është 225.000 Euro. Casanova – Hernandes është në fakt një zyre arkitektesh shumë e preferuar nga qeveria shqiptare. Ajo ka përfituar shumë projekte nga Rama, nga FSHZH dhe AZHT. Një ndër projektet kryesore është dhe rikonceptimi i Muzeut Kombetar, një projekt 13 milionë euro i cili është fituar nga Casanova Hernandez dhe partnerin lokal “I Ri”. Kjo është kompania ku punon thjeshtra e Edi Ramës".
Bozdo tregon edhe lidhjen e Klodian Zotos dhe Edi Ramës në këtë aferë.
"Ai kontraktoi studion Casanova Hernandez, për të bërë një projekt mbi Porto Romanon 3 muaj përpara se Edi Rama të deklaronte se do ta zhvillonte projektin nëpërmjet bashkëpunimit me privatin, dhe 6 muaj përpara se AKUM ta shpallte garën të cilën vetë Edi Rama më pas e anuloi. Mundësitë këtu janë dy: Ose Klodian Zoto i prezanton Edi Ramës privatisht idenë e tij për landfillin e Porto Romanos, ose Edi Rama thërret Klodian Zoton dhe ia ngarkon personalisht këtë detyrë, shumë përpara se ta shpallte publikisht. Në të dyja rastet, kemi sot provën përfundimtare të lidhjes së drejtpërdrejtë të Edi Ramës me bandën e Inceneratorëve".
Bozdo i bëri apel SPAK-ut që të hetojë këtë aferë dhe mos të bëjë të paditurin përpara këtyre provave.