VIDEO-SYRI TV/ PD akuzon kryebashkiakun: Eduard Duro ka falsifikuar firmat për një kandidat tjetër
Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun socialist të Devollit se po falsifikon firmat e qytetarëve që të regjistrojë në zgjedhje si kandidat të pavarur, Çlirim Hoxhën, me qëllim që të dëmtojë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun socialist në Bashkinë e Devollit Eduard Duro se po përdor mjete të jashtë ligjshme që të regjistrojë në zgjedhje Çlirim Hoxhën, si kandidat të pavarur, për të dëmtuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Elvis Hajderlli .
Në një deklaratë nga selia blu, Sekretari për çështjet ligjore, Ivi Kaso, denoncoi mënyrat se si janë mbledhur firmat për Hoxhën, si dhe i bëri thirrje komisionerit shtetëror të zgjedhjeve që mos ta regjistrojë si kandidat për zgjedhjet e 14 majit.
Ndërkohë një banor i fshatit Peshkëpi në Dropull u vu nën hetim nga policia, pasi dyshohet se mblidhte kartat e identitetit dhe më pas i përdorte pa dijeninë e tyre për regjistrimin e kandidatit të një subjekti politik, në procesin zgjedhor.
Burime të Syri Tv bëjnë me dije se 67-vjeçari ishte përfaqësues i Nisma Thurje, dhe po mblidhte kartat e identitetit për kandidatin Kosta Garo, ish-kandidat i PS për deputet.
Gjithashtu, dyshohet se kartat e identitetit po mblidheshin kundrejt shpërblimit financiar.
Për të gjitha këto, policia ka vënë nën hetim 67-vjeçarin dhe ka bllokuar dokumentacionin e KZAZ 82 në Dropull.