Detaje/ RTK ia bën 'hyzmetin' festivalit, po Kosova në Eurovision mbetet ende ëndërr
Prishtinë - Ditë më parë u dha lajmi që Radio Televizioni i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë nënshkruar një memorandum me periudhë 5-vjeçare për organizimin e Festivalit të Këngës, për të zgjedhur këngën që do të përfaqësojë Kosovën në “Eurovision”.
Nga Erdonit Hoxha.
Faktikisht, realizimi i një festivali të tillë, në hamendjen njerëzore, nënkupton që Kosova do të jetë pjesë e Eurovision-it, vitin e ardhshëm.
Mirëpo, kjo gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe as nuk ka shpresa për të ndodhur në vitin 2024.
Syri.net Kosova, nga burimet e tij, mësoi se realizimi i Festivalit të RTK nuk ka të bëjë fare me pjesëmarrjen në Eurovision.
Po të njëjtat burime, bëjnë me dije që Kosova për të marrë pjesë në Eurovision duhet të ketë miratimin e shteteve pjesëmarrëse në festival e në këtë pikë, Spanja është shumë skeptike.
Po ashtu, Syri Kosova mëson se Festivali i RTK po organizohet në mënyrë që t’i tregohet botës se Kosova është gati në gjitha nivelet, që ta dërgojë këngën përfaqësuese në Eurovision.
Duke iu referuar burimeve të Syrit, e vetmja gjë që dihet për këtë festival është se do mbahet të enjten, të premten dhe të shtunën e javës së fundit të muajit tetor të këtij viti.
Kurse, përsa i përket vendit dhe ekipit punues në këtë festival, asgjë nuk dihet akoma. Thjesht, emri i Florent Boshnjakut është përmendur si drejtor artistik i festivalit.
E kënga që fiton vendin e parë, thjesht hyn në histori si kënga e parë fituese e festivalit.
Nga ana tjetër, gjatë gjithë ditës së sotme, Syri ka provuar t’i konfirmojë këto detaje nga Bordi i RTK-së, mirëpo, kontakti me ta ka qenë i pamundur.
Se si do të rrjedhë fati i Kosovës për rrugën e saj në Eurovision, Syri.net Kosova do t’iu mbajë të informuar.