Shefja e BE kërkon kujdes në tregtinë e teknologjive me Kinën

Bruksel  - Bashkimi Evropian duhet të jetë i përgatitur për të zhvilluar masa për të mbrojtur tregtinë dhe investimet që Kina mund t'i shfrytëzojë për qëllimet e saj të sigurisë dhe ushtarake, paralajmëroi të enjten, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Duke folur përpara një udhëtimi në Kinë të planifikuar për javën e ardhshme, von der Leyen tha se është e rëndësishme të ndalohen "teknologjitë e ndjeshme" që mund të përdoren në goditjen e sigurisë ose për të kufizuar të drejtat e njeriut, që të mos bien në duart e Pekinit.

“Ndryshimet e politikave të Kinës mund të kërkojnë që ne të zhvillojmë mjete të reja mbrojtëse për disa sektorë kritikë,” tha ajo. “Aty ku qëllimet e përdorimit të dyfishtë nuk mund të përjashtohen ose të drejtat e njeriut mund të implikohen, do të duhet të ketë një vijë të qartë nëse investimet apo eksportet janë në interesat tona të sigurisë”.

Komisioni, dega ekzekutive e BE-së, menaxhon tregtinë ndërkombëtare në emër të 27 vendeve anëtare dhe mbron interesat e tyre në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Von der Leyen tha se BE-ja duhet të përqendrojë mbrojtjen e saj në "fusha të ndjeshme të teknologjisë së lartë" si mikroelektronika, kompjuteri kuantik, robotika, inteligjenca artificiale dhe sektori i bioteknologjisë.

“Ne duhet të sigurojmë që kapitali, ekspertiza dhe njohuritë e kompanive tona të mos përdoren për të përmirësuar aftësitë ushtarake dhe të inteligjencës së atyre që janë gjithashtu rivalë sistematikë,” u tha ajo akademikëve në një ngjarje të organizuar nga Qendra e Politikave Evropiane dhe Qendra e mendimit, Instituti Mercator për Studimet e Kinës.

“Ne duhet të shikojmë se ku ka boshllëqe në masat tona që lejojnë rrjedhjen e teknologjive në zhvillim dhe të ndjeshme përmes investimeve në vende të tjera,” tha von der Leyen. Fokusi, tha ajo, duhet të jetë tek teknologjia që “mund të çojë në zhvillimin e aftësive ushtarake që paraqesin rreziqe për sigurinë kombëtare”.