Primaret e republikanëve në SHBA/ Trump thellon kryesimin, kalon mbi 50%
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump ka thelluar kryesimin në garën për primaret mes republikanëve.
Sipas një sondazhi të fundit të Fox News, Trump tani kryeson me 54 përqind, duke kaluar kufirin e 50 përqind mbështetje. Në shkurt të këtij viti, Trump kishte 43 përqind mbështetje.
Ai ka më shumë se dyfishin e mbështetjes që ka guvernatori i Floridas, Ron DeSantis. Ky i fundit mbështetet nga 24 përqind, një rënie nga 28 përqind mbështetje që kishte në shkurt.
Mike Pence është në vendin e tretë me 6 përqind mbështetje, Liz Cheney ka 3 përqind dhe Nikki Haley po kaq. Listën e mbyll Greg Abbott me 2 përqind. Vetëm tre përqind e atyre që kanë marrë pjesë në sondazh thonë se nuk kanë vendosur akoma se për kë do të votonin.
Sipas Fox News, lajmet se Trump mund të paditet nga një prokuror në Nju Jork ia kanë shtuar ndjeshëm mbështetjen mes votuesve republikanë. Sipas tyre, kjo çështje është e motivuar politikisht.