SYRI TV/ Asfalt elektoral për mandatin e shtatë/ Gëzim Topçiu 'gënjen', banorët: Po hidhet për zgjedhje

Në garë për mandatin e 7-të në Bashkinë e Maliqit, kandidati socialist Gëzim Topçiu po u kërkon votën banorëve me asfalt elektoral. Por teksa në një fshat ka shtruar 500 metër rrugë për votat e 14 majit, asfalti i hedhur pesë vjet më parë kur kërkonte mandatin e 6-të, është shkatërruar plotësisht

SYRI TV

Siç shihet nga pamjet, Bashkia e Maliqit ka nisur me nxitim të shtrojë disa rrugë të brendshme të fshatit Symizë me asfalt, i cili dukshëm është për qëllime elektorale. Punimet nuk kanë asnjë tabelë informuese në lidhje me projektin, investimin apo kompaninë që po i kryen ato.

Faktin, se asfalti është për qëllime elektorale, e pranojnë dhe vetë banorët e këtij fshati.

Sipas banorëve, rruga e shtruar është vetëm 500 metra, ndërkohë rruga kryesore e fshatit, e cila duket se është bërë gjithashtu për asfalt elektoral pesë vite më parë, është në këtë gjendje që shihet në këto pamje.

Siç shihet, asfaltit elektoral të pesë viteve më parë i ka dalë jo vetëm boja, por sipas banorëve, ajo është bërë e pakalueshme për shkak të gropave dhe amortizimit të saj.

Dhe duket se me këtë asfalt, kandidati socialist i Maliqit, Gëzim Topçiu kërkon të gënjejë banorët e kësaj bashkie, për të kërkuar mandatin e 7 të në drejtimin e këtij institucioni.