Veç 2 euro rritje për kujdestari, infermierët mes grevës dhe ikjes nga Kosova (Dokument)

Reparti i Ortopedisë në QKUK po punon me vetëm një infermiere në ndërrim tash e një kohë. Ky repart me pothuajse të gjithë shtretërit e zënë me pacientë po funksionon më shumë vështirësi.

Të njëjtën situatë e kanë edhe shumë reparte të tjera në të gjitha spitalet e Kosovës. Pavarësisht kësaj situate, pagat dhe kushtet për ta nuk po plotësohen, kështu ata po detyrohen të ikin jashtë vendit, shkruan Syri.net Kosova.

E për këtë, Shoqata Sindikale e Infermierëve të QKUK-së po paralajmërojnë grevë .

Ata po kërkojnë rritjen e pagesës për ndërrimet e natës dhe pagesa për kujdestaritë për të shtunat e të dielat.

Mentor Sejdiu, nënkryetar i Shoqatës Sindikale të Infermierëve të QKUK-së, tha se ata si sindikatë, janë të diskriminuar me Ligjin për Pagat.

‘Edhe sot ka qarkulluar një tabelë për pagesën për kujdestari ku shihet edhe aty një diskriminim nga ata që për dëshirën e vet e rregulluan kujdestarinë me Ligjin për Pagat, por për infermierët asgjë’, tha Sejdiu.

Për këtë ka reaguar edhe Enlirat Duraku, anëtar i Kuvendit tek Oda e Infermierëve të Kosovës, ku ka bërë një kërkesë drejtuar Odës së Infermierëve të Kosovës pas ftesës publike për reagim që bëri mbrëmë.

Sipas tij kjo kërkesë u bë për reagim në kundërshtim të diskriminimit që po tentohet t'u bëhet infermierëve përmes pagesës së ndërrimeve të natës.

Duraku falënderon sindikatën për reagimin me vend si dhe duke shpresuar që të tejkalohen arsyetimet e kompetencave institucionale nga OIK për hire të së mirës kolektive.

Postimi i plotë:

Të nderuar kolege dhe kolegë infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor,

Sot ashtu siç kam premtuar kam bërë kërkesën zyrtare pranë Oda e Infermierëve të Kosovës për reagim në kundërshtim të diskriminimit që po tentohet t'u bëhet infermierëve përmes pagesës së ndërrimeve të natës.

Duke falënderuar sindikatën për reagimin me vend si dhe duke shpresuar që të tejkalohen arsyetimet e kompetencave institucionale nga OIK për hire të së mirës kolektive, ndërsa kërkesa ime të trajtohet me seriozitetin që meriton.

Kujtojmë që, vetëm vitin e kaluar kanë ikur gjithsej 638 infermierë, shifër kjo që, krahasuar me një vit më herët është 7 herë më e madhe.