Ferjolt Ozuni: Linjat ‘low cost’ abuzojnë me çmimet e biletave të avionëve, klienti i pambrojtur nga shteti

Vitet e fundit të udhëtoje nga Rinasi nëpër Europë u bë mjaft e lirë, si rrjedhojë e hyrjes së operatorëve me kosto të ulët (low cost).

Për data të caktuara ishte e mundur që të gjeje një bilete vajtje ose ardhje për 20 euro, ose 40 euro vajtje-ardhje, sidomos në destinacionet drejt Italisë.

Mesatarisht, edhe në destinacione të tjera, si Gjermania, apo Franca mund të blije bileta vajtje-ardhje 50-100 euro. Vetëm në periudhat e sezonit, si në verë, apo për festat e fundvitit, biletat ishin më të shtrenjta.

Por, si duket gjatë këtij viti çmimet e biletave janë rritur ndjeshëm, dhe është thuajse e pamundur që të gjenden bileta me çmime të ulëta.

Ferjolt Ozuni, Specialist i Turizmit, ishte i ftuar ditën e sotme në ‘Kafe Shqeto”, Syri Tv, për të diskutuar lidhur mbi këtë çështje.

Ozuni u shpreh se linjat se linjat ‘low cost’ abuzojnë me çmimet dhe klientët janë të pambrojtur nga shteti.

Pjesë nga diskutimi:

Ola: Si e shpjegoni ju çmimin e rritjes së biletave të avionit në 2023, vit ky që u pasua nga viti 2022, një tjetër periudhë që kishte çmime të larta?

Ferjolt Ozuni: "Unë e gjykoj si një trend dhe trend normal për sa i përket sezonit në të cilin ne po afrohemi.

Them trend normal pasi ashtu siç edhe ju e thatë, kërkesat bëjnë që çmimi të rritet. Ndoshta ne ishim mësuar që të çmimet  ishin goxha të ulëta me ato që ishim mësuar vite më përpara, ku p.sh për të shkuar në Romë duhet të paguanim mbi 40 euro, ndërsa tani me kompanitë “Low Cost’  këto gjëra ishin të pakonceptueshme.

Normalisht në një sezon kur kërkesa është më e madhe sesa oferta dhe në një moment kur Shqipëria nisi të ribëhej trend në destinacionet e Europës Perëndimore, atëherë normalisht që edhe kompanitë filluan të shohin më tepër nga tregu duke rikuperuar një pjesë të dëmeve financiare që kanë pasur nga pandemia e Covid-19".

Flavio: Megjithatë Rinasi është një nga aeroportet me çmimet më të larta të Europës, përse nuk vlen kërkesë-oferta për qytetarët europian që mund të udhëtojnë drejt vendeve të tera?

Ferjolt Ozuni: "Duhet të kemi parasysh që ne kemi pasur çmime të tilla, p.sh në Shkup ka qenë 9 euro për kompaninë ‘Low Cost’ që operohet edhe në Shqipëri.

Për kompania respektive me anë të disa lojërave financiare, me abonime p.sh ofron dhe çmime të ulëta. Këto janë gjëra që ndodhin gjithandej.

Problemi me aeroportin e Rinasit nuk është vetëm aspekti financiar, por edhe taksat të cilat kompanitë ajrore janë të detyruara të paguajnë këtë aeroport.

26.5 euro është taksa minimale që duhet të paguhet, por këto kompani e kanë reduktuar me vendim qeverie.

Megjithëse, ky reduktim ka ardhur vetëm për kompanitë ‘Low cost’".

Klea Sula/ Syri.net