Si po e kthejnë në `fake news` Edi Rama dhe mediat e tij, deklaratën e Departamentit të Shtetit për zgjedhjet

Kryeministri Edi Rama ka guxuar sërish sot paradite, të abuzojë hapur me  deklaratën e nënsekretarit të Shtetit për Çështjet Politike, i cili i ka thënë zyrtarisht ministrit të Jashtëm Ervin Bushati , që në zgjedhje duhet të marrin pjesë të gjitha partitë. Kjo deklaratë u certifikua edhe si një qëndrim edhe nga Departamenti i Shtetit. Por Rama duke shfrytëzuar rubrikën e tij në Facebook, “Kush gënjen”, e trajton këtë thirrje të qartë që i bëhet qeverisë që ai drejton dhe mazhorancës, si një “ultimatum” ndaj opozitës. Gjithë kësaj i parapriu një fushatë “fake news”, në mediat e tij.

Menjëherë pas zbardhjes së deklaratës së Departamentit të Shtetit media si “BallkanWeb” “Tema”, JavaNews” dhe të tjera që janë vënë hapur në shërbim të Ramës e trajtuan këtë deklaratë si një ultimatum dhe presion ndaj opozitës, për të marrë pjesë në zgjedhje pa kushte.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhet e zeza mbi të bardhë; “Pas takimit (me ministrin e jashtëm Shqiptar) ambasadori Shannon ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjitha partive politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

Por kjo kërkesë që vërtetë është ultimative dhe e panegociushme për Departamentin e Shtetit, nuk i është bërë opozitës. Takimi nuk ka qenë mes Shannon dhe Lulzim Bashës, por mes numrit dy të diplomacisë amerikane me një përfaqësues të rëndësishëm të qeverisë shqiptare. Pra ultimatumi që zgjedhjet në Shqipëri duhet të zhvillohen edhe me pjesëmarrjen e opozitës, i është bërë Edi Ramës.

Është pikërisht ky i fundit që nuk lë rast pa deklaruar se është i vendosur që të bëjë zgjedhje edhe pa opozitën, qëndrim ky krejtësisht i kundërt me deklarimin zyrtar të Departamentit të Shtetit. Nga ana tjetër opozita vazhdon të këmbëngul se nuk mund të ketë zgjedhje në 18 Qershor, pa pjesëmarrjen e saj dhe që ajo të marrë pjesë duhen garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Që të plotësohen këto kushte, është kërkuar një qeveri pa di Ramën dhe piramidën që kanabizoi vendin, një Kod i Ri Zgjedhor, numërim elektronik etj. Të gjitha këto duhet ti pranojë Rama nëse nuk ka ndërmend, që të tjetërsojë rezultatin. Vetëm në një garë të tillë pa rezultat të paracaktuar si në Dibër, mund të ketë zgjedhje me të gjitha forcat politike. Dhe për të gjitha këto, topi është në fushën e Ramës dhe jo të opozitës. Kjo është pikërisht ajo që kërkon zyrtari i lartë amerikan Shannon. Nuk ju drejtua opozitës, por qeverisë dhe mazhorancës Rama-Meta, nëpërmjet ministrit të tyre të Jashtëm.

“BallkanWeb” i pari dhe media të tjera pranë Ramës, janë duke luajtur pistë dhe abuzuar rrezikshëm me shtrembërimin e mesazhit të vërtetë, që ka kjo deklaratë. Guxim i çartur ky, kur mendon që nuk ndalen së kthyeri në “fakenews”, edhe deklaratat e Departamentit të Shtetit!

/Syri.net/