SYRI TV/ Veliaj, ndëshkime minimale për autobusët urbanë, kompanitë gjobiten me 5 mijë lekë

Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit e bashkisë së Tiranës përkëdhel operatorët e  transportit publik të cilët gjobiten me vetëm 5 mijë lek për shkeljet e kryera. Në vendimet e gjykatave thuhet se inspektorët e bashkisë në periudhën shkurt-mars 2022 kanë identifikuar shkelje, kryesisht në mosrespektimin e orareve dhe në papastërtitë e autobusëve, por me shkelje të këtij lloji, qytetarët përballen çdo ditë, ndërsa ndëshkimet janë të pakta.

Nga SYRI TV

Këtë të diel, një autobus urban u përmbys pranë Saukut, duke plagosur dy persona. Më herët, një tjetër mjet urban përplasi të paktën dhjetë automjete dhe plagosi disa persona shumë pranë qendrës së Tiranës.

Pas çdo aksidenti me pasoja në shëndetin e qytetarëve, kryebashkiaku Erion Veliaj premton marrjen e masave ndaj kompanive të transportit qytetës si edhe prezanton statistika të penalizimit të operatorëve që veprojnë në linjat e urbanëve të Tiranës.

Por, përtej deklaratave publike të Veliajt, të dhënat zyrtare tregojnë se institucioni që ai drejton, i trajton me përkëdheli të tepruar shkeljet e kryera nga linjat e transportit publik.

Në fillim të marsit 2023, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit e bashkisë së Tiranës, i është drejtuar Gjykatës Administrative për lëshimin e urdhrave të ekzekutimit për disa gjoba të vendosura ndaj kompanive të autobusëve urbanë dhe të papaguara prej tyre.

Në thuajse njëqind për qind të rasteve, këto gjoba janë vendosur rreth një vit më parë dhe janë fare minimale.

Penalitetet arrijnë në maksimumin 5 mijë lekë, një shumë që vetëm një autobus në Tiranë i realizon gjatë një lëvizjeje nga pika fillestare deri në pikën fundore.

Në vendimet e gjykatave thuhet se inspektorët e bashkisë në periudhën shkurt-mars 2022 kanë identifikuar shkelje, kryesisht në mosrespektimin e orareve dhe në papastërtitë e autobusëve.

Çdo qytetar që përdor shërbimin urban në Tiranë, e ka të qartë se këto shkelje janë të përditshme dhe thuajse në çdo linjë të autobusëve urbanë.

Por Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit në bashkinë e Tiranës është ende duke vjelë gjobat e një viti më parë.